Ditën e sotme Lega Serie A zhvillloi një asamble të jashtëzakonshme për të diskutuar pikërisht rreth krijimit të Super League. Tensionet mes palëve nuk munguan, sidomos pas një deklarate të Andrea Agnellit, i cili trazoi akoma më shumë ujërat.
“Me 350 milionë euro të garantuara në vit, Scudetto do të fitohet gjithmonë nga Juventus, Inter apo Milan”, ishte fraza më e dëgjuar në asamble nga presidentët apo drejtorët e klubeve të tjera. Mirëpo, sipas raportimit të “La Repubblica”, presidenti i Juventusit nuk u kursye aspak në përgjigjen e tij.
“Kështu ka qenë në 80 vitet e fundit, mendoj”, ishte reagimi i Agnellit, çka solli tërbimin e të pranishmëve. Lega Serie A pranoi se nuk e ka mundësinë ligjore për të përjashtuar tre klubet themeluese të Super League.
Por, Federata Italiane e Futbollit në rast marrëveshjeje me UEFA-n mund ta bëjë, edhe pse do të jetë një betejë e gjatë në gjykatë, ku do të jenë në loje padyshim dhe të drejtat televizive. /abcnews.al