Protestat ishin kryefjalë e ish-kryeministrit Sali Berisha në takimin që zhvilloi me përfaqësuesit e sindikatave këtë të mërkurë. Këtyre të fundit, Berisha iu premtoi mbështetje. Sipas tij, forma më e fuqishme e protestës strukturohet vetëm nga sindikatat.
“Në katër anët po bien sirenat e revoltës. Në çdo takim dhe bisedë dëgjoj vetëm një kërkesë, protestë dhe vetëm protestë. E gjej nga të rinj, të moshuar, biznesmenë. Por ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse forma me fuqishme e protestës, siç ka provuar historia është ajo që strukturohet me sindikata. Do të keni mbështetjen e PD, opozitës në çdo përpjekje tuaj.
Sindikata e arsimit të lartë është hedhur në betejë. Në datën 5 ka shpallur grevën e përgjithshme. Le të pyesin veten a mos janë mësuesit më mirë. Jo mësuesit janë edhe më keq se pedagogët”, deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama për gjendjen e vështirë e vendit. Ai tha se Rama është një makineri gjigande mashtrimi për qytetarët.
“Një makineri gjigande mashtrimi për qytetarët shqiptarë. Një makineri gjigande vjedhje dhe grabitje të qytetarëve shqiptarë. Një plaçkitje e pashembullt e fondeve publike, të pasurive kombëtare. Vjedhje direkt të xhepave të qytetarëve me çmimet.
Ju jeni sindikalistë, por unë ju garantoj se nuk ka pasur regjim kolonial, që të ketë shfrytëzuar një popull siç i shfrytëzon Rama popullin shqiptar. Ju jeni dëshmitarë, sesi pasuritë përrallore të shqiptarëve, që bëjnë miliarda euro, janë shndërruar në një mallkim”, theksoi Berisha. g.v/abcnews.al