Plot 100 000 tifozë anglezë në finalen e Championsit

schedule16:20 - 1 Qershor, 2019

schedule 16:20 - 1 Qershor, 2019

Plot 100 000 tifozë anglezë ndodhen në Madrid për finalen e Championsit. Shpenzime të jashtëzakonshme për udhëtimin, biletat dhe akomodimin në kryeqytetin e Spanjës

Dikur, në kohën para 1990-ës, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi një film për përkrahësit fanatikë të futbollit, të quajtur “Odisea e tifozëve”.

Nëse në atë kohë çmenduria të bënte të vije me biçikletë nga Shkodra në Tiranë, të vuaje trenave, e autobusëve, apo të hipje në karroceri të ZIS-ve e Skodave, si makina rasti, sot “Odisea” vazhdon në mënyrë “moderne”.

Nga 100 000 tifozët e ardhur për Liverpul-Totenhem në finalen e Championsit, historitë janë nga më të ndryshmet.

Biletat e udhëtimit direkt nga Anglia për në Madrid arritën në 1 000 paundë stërlina, ndërsa çdo dhomë hoteli në kryeqytet u prenotua dhe tani nuk ka më të lira.

Si një “goditje” për tifozët ishte lajmi se këtë të premte mund të gjeje bileta me vetëm 100 paundë stërlina.

Me mijëra tifozë mbërritën në Madrid me makinat e tyre personale e familjare, shumë të tjerë bënë udhëtime ajore në qytete të tjera të Spanjës, apo edhe në vende fqinjë, për të mbërritur pastaj në Madrid me autobusë, makina apo trena.

Fjetja është hall më vete, ndërsa shumë anglezë kanë ngritur tenda në një nga parqet më të mëdhenj të qytetit, madje ka nga ata që janë gati të flenë në dysheme, thjesht për të mos humbur rastin për të qenë pranë finales.

Tetë tifozë të Liverpulit të ardhur nga Kalifornia dhe Australia shpenzuan 45 000 euro së bashku në udhëtim.

Njëri prej tyre udhëtoi 25 orë me aeroplan nga Melburni, që i kushtoi rreth 2 300 euro, dhe po aq bleu biletën e ndeshjes, ndërsa shpenzimet e tjera shkuan edhe më shumë.

Halli i fundit zuri qindra tifozë të Totenhemit, të cilëve iu vonua udhëtimi, dhe do të mbërrijnë në Madrid më pak se 5 orë para fillimit të ndeshjes.

Nga 100 000 tifozë, vetëm 32 000 pajisen zyrtarisht me bileta, ndërsa shumë prej tyre mund të mos I gjejnë as në treg të zi.

Ka tifozë që janë gati të shpenzojnë nga 8 000 deri në 11 000 euro për një biletë të vetme, sidomos nga ata të Totenhemit, për të cilët është finalja e parë.

Problemi më i madh për ta është falsifikimi.

Policia spanjolle ka arrestuar deri tani 3 persona për shitje biletash false, dhe atyre u janë gjetur disa mijëra euro, si dhe mjaft bileta të falsifikuara./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!