Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka dhënë opinionin e tij për derbin e nesërm mes Interit dhe Juventusit. Francezi, si një ish-juventin, beson se “Zonja e Vjetër” do të triumfojë 0-1, madje ai parashikon dhe golashënuesin.
“Do të përfundojë 1-0 për Juventusin dhe golin do ta shënojë Cristiano Ronaldo. Do të jetë një sfidë emocionuese. Bardhezinjtë kanë CR7, i cili është fantastik, fenomenal dhe shumë profesionist. Fizikisht është si bishë dhe falë tij ai luan në këto nivele edhe në këtë moshë.
Ai është modeli i djemve të sotëm, që merren me futboll; siç isha unë për lojtarët e Juventusit të viteve ’80 dhe Sivori më parë”, është shprehur Platini në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ndërkohë që i kërkohet edhe një krahasim Messi-Ronaldo dhe një mendim për Paulo Dybala.
“Dy fenomenë krejt të ndryshëm. Njëri i vogël dhe i shpejtë, tjetri i gjatë dhe i fortë. Dy lojtarë të mrekullueshëm për 15 vite”, shtoi francezi. Për Dybala, Platini shton: “Më pëlqen shumë. Ai është pjesë e kategorisë së lojtarëve si Maradona”.
Në lidhje me rolin e trajnerëve në ndeshjet e sotme, Platini thotë: “Derbi në kohën time ishte një ndeshje që vendosej nga lojtarët, ndërsa tashmë janë trajnerët ata që kanë më shumë peshë. Nuk jam duke thënë se kështu është më mirë apo më keq, por është ndryshe.
Gjithsesi, kampionët nuk mund të kufizohen në skema, pasi ata bëjnë gjithmonë atë që duan. Pirlo si trajner? Mendoj se filloi me filozofinë e duhur, gjithmonë duke kërkuar shfaqjen dhe golin. Jepini kohë, menaxhimi i tij do të jetë i rëndësishëm. Le të kemi ca romantikë si ai në stol”.
I pyetur në lidhje me titullin kampion, Platini paralajmëron ekipet e Serie A se duhet të bëjnë kujdes nga Milani, pasi ata nuk do të ndalen deri në fund. “Scudetto? Kujdes nga Milani. Po arrijnë rezultate, janë të parët dhe nuk do të ndalen”, përfundon Platini. /abcnews.al