Pamje alarmante nga plazhi Koksijde tregojnë rrezikun real që mbeturinat plastike përbëjnë për jetën detare. Një fokë e re u gjet në gjendje të rëndë në plazhin e Koksijde, në Belgjikë, me një rrip plastik të shtrënguar fort rreth qafës, një skenë që ilustron në mënyrë dramatike se si plastika po shndërrohet në një nga kërcënimet më të mëdha për jetën nënujore.

Kafsha, e dobësuar dhe e plagosur, u shpëtua nga North Seal Team dhe zjarrfikësit, pasi një kalimtar dha alarmin. Ekipet ndërhynë me urgjencë dhe arritën ta çlironin nga plastika që i kishte ngushtuar qafën deri në pikën e rrezikut për jetën.
“Foka ishte shumë e dobësuar. Nuk mund ta linim në det në atë gjendje,” u shpreh një nga anëtarët e ekipit të shpëtimit.

Pas ndërhyrjes, kafsha u transportua në Sea Life Blankenberge, ku po merr trajtim dhe pritet të rikuperohet para se të rikthehet në habitatin e saj natyror.
Ekspertët paralajmërojnë se ky nuk është një rast i izoluar. Mbeturinat plastike: nga rripat, rrjetat deri te qeset, po shkaktojnë çdo ditë plagosje dhe vdekje te kafshët detare, duke e kthyer oqeanin në një kurth vdekjeprurës.


