Plas te Feronikeli, klubi: Lojtarët do paguajnë shtrenjtë, turp që vishni këtë fanellë

schedule19:58 - 10 Nëntor, 2020

schedule 19:58 - 10 Nëntor, 2020

Një gol i Argjend Malajt  i dha triumfin Drenicës së Bledar Devollit ditën e sotme ndaj Feronikelit në kuadër të javës së 12 të Superligës së Kosovës. Me këtë humbje skuadra nga Drenasi mbetet në vendin e shtatë me vetëm 12 pikë të fituara pas po aq ndeshjesh.

Në 11 ndeshjet e fundit skuadra e drejtuar fillimisht nga Tovërlani e tani nga Klodian Duro regjistron 4 humbje, 1 fitore dhe 6 barazime. Në fund të ndeshjes faqja e klubit ka publikuar raportin e sfidës, që është pasuar nga një koment i bujshëm i sërish klubit.

 

Në koment, autori i të cilit nuk dihet, që i gjithë faji i vendoset lojtarëve. Siç shkruhet, janë fajtorë dhe do të dënohen rëndë nga fakti se nuk kanë dhënë maksimumin dhe e kanë shndërruar ekipin në një skuadër që lufton për mbijetesë.

“Kjo ndeshje e sotme më shumë i takon amatorizmit, ekipi jonë sot na zhgënjeu. Jo vetëm sot, por po na zhgënjen nga fillimi i kampionatit, me përjashtim të dy takimeve. Krijuam kushte dhe pagesa për të luftuar për titull, por siç edhe shihet nuk e kanë marrë punën seriozisht dhe kështu nuk mund të sigurojmë dot as mbijetesën.

 

I pyes lojtarët e mi, a e meritojmë ne si klub të na i bëni këtë?! Të jeni të bindur se do të paguani shtrenjtë, që nuk po arrini suksese. Që nga sot, shumica e lojtarëve nuk do të kenë mundësinë të futen në fushën e lojës, të cilët nuk duan të mbrojnë ngjyrën e klubit, turp që e mbajnë atë fanellë. Ju me këto rezultate e turpëruat edhe qytetin që ju dha aq shumë.

Më turpëruat mua personalisht dhe të gjithë në klub, që me shumë mund dhe shpenzime bënë që ju të arrini suksese. Priteni vendimin e klubit se do të ndëshkoheni”, shkruhet në komentin e publikuar nga faqja e klubit. /abcnews.al