Mbi 3 milionë dokumente në lidhje me Jeffrey Epstein, abuzuesi seksual që ndërroi jetë në burg në vitin 2019, janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Nga Elon Musk, sekretari aktual i tregtisë Howard Lutnick, miliarderi Bill Gates, ish ambasadori britanik Peter Mandelson dhe ish princi Andrew, dosjet ofrojnë disa detaje të reja, edhe pse shumë prej tyre kanë redaktime të rënda.
Musk, i cili vitin e kaluar akuzoi Trump se ishte I përfshirë në dosje, arsyeja pse ato nuk publikoheshin, duket se ka biseduar me ish financierin në disa raste.
Në një email në fund të vitit 2013 CEO i Tesla i dërgoi një email Epstein për të koordinuar një udhëtim në ishullin famëkeq Little Saint James në Karaibe, vendi ku kanë ndodhur abuzimet seksuale të shumë viktimave.
Në email Musk i shkruan Epstein se do të jetë në zonën e ishujve gjatë festave dhe e pyet nëse ka një kohë të mirë për ta vizituar.
Në përgjigjen e tij Epstein i thotë Musk se gjithmonë ka hapësirë për të dhe i cakton ditën e krishtlindjeve.
Nuk është e qartë nëse miliarderi e vizitoi ishullin, por emailet e publikuara tregojnë një nivel komunikimi të pazbuluar më parë.
Howard Lutnick, sekretari aktual, i dërgoi një email asistentit të hershëm të Epstein në nëntor 2015 duke e ftuar Epstein në një mbledhje fondesh demokrate për Hillary Clinton që ai e organizoi.
Në emailet e këmbyera me ish princin Andrew, ky I fundit e fton Epstein në pallatin Buckingham, ku I premton privatësi. Ndërkohë në mesazhe të tjera Epsteim i shkruan Andrew për një vajzë 26-vjeëare ruse, që e cilëson të vlefshme për anëtarin e përjashtuar të familjes mbretërore. Epstein kishte shkëmbyer mesazhe edhe me Sarah Ferguson, ish bashkëshortja e Andrew, e cila I referohet abuzuesit seksual si një vëlla.
Ndërkohë në emailet e këmbyera me Bill Gates Epstein shkruan për kohën e jashtëzakonshme që ata kaluan bashkë, ndërsa shfaqet edhe në fotot e publikuara.
Në mesazhe të tjera Epstein komunikoi me Kathy Ruemmler, një avokate dhe ish-zyrtare e Shtëpisë së Bardhë të Obamës, për të paralajmëruar se demokratët duhet të ndalojnë demonizimin e Trump si një figurë të tipit mafioz. Në mesazhe të tjera Ruemmler thotë se e adhuron Epstein dhe e cilëson si një vëlla të madh.
Në një shkëmbim mesazhesh në vitin 2018, të parë nga Associated Press Epstein dhe ish këshilltari i Trump, Steve Bannon, diskutuan kërcënimet e presidentit për të shkarkuar Kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, të cilin ai e kishte emëruar në këtë post vetëm një vit më parë.
Ndërkohë në disa imazhe të publikuara, duket qelia ku Jeffrey Epstein në vitin 2019, thuhet se I dha fund jetës së tij.
Zëvendësprokurori I përgjithshëm Tod Blanche tha teksa njoftoi publikimin e dokumenteve, se Departamenti I Drejtësisë nuk u përpoq të mbronte Donald Trump apo dikë tjetër edhe pse kritikat kanë qenë të shumta.
Afati ligjor për publikimin e plotë të dosjeve është tejkaluar me më shumë se një muaj, ndërsa mbeten për t’u parë edhe 3 milionë dokumente të tjera, nga 6 në total që departamenti I drejtësisë ka thënë se ka në dispozicion.
/abcnews.al/


