Turqia akuzon Izraelin se synon që të zgjerojë kufijtë e tij me planin për të dyfishuar popullsinë në Lartësitë e Golanit. Në një deklaratë të hënën, ministria e Jashtme turke dënoi vendimin e Izraelit ndërsa i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të reagojë.
“Ne dënojmë me forcë vendimin e Izraelit për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme në lartësitë e Golanit, të pushtuara që nga viti 1967. Vendimi në fjalë përbën një fazë të re në qëllimin e Izraelit për të zgjeruar kufijtë e tij përmes okupimit” , deklaroi ministria.
Sipas ministrisë turke, “veprimet aktuale të Izraelit po dëmtojnë seriozisht përpjekjet për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Siri dhe po rrisin më tej tensionet në rajon.”
Qeveria izraelite miratoi të dielën një projekt që synon dyfishimin e popullsisë në pjesën e Golanit sirian, të aneksuar nga Izraeli, por thotë se nuk ka interes të hyjë në konflikt me Sirinë, pasi ka marrë kontrollin e zonës tampon të monitoruar nga OKB pas rënies së presidentit sirian Bashar Al-Assad./abcnews.al