Në samitin e Kotorrit, që u mbajt të enjten, u vu theksi te reformat për të çuar përpara planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, që ka marrë dritën jeshile e këshillit të BE-së. Bëhet fjalë për një plan prej 6 miliardë eurosh, ku Shqipëria do të përfitojë rreth 1 miliardë euro. Por si do të disbursohen këto para?
Studiuesi për Politikat e Qëndrueshme, Diego Abedinaj, në një lidhje live për emisionin “Sheshi i Dollarit”, tha se zyrtarët në BE, kanë deklaruar se alokimi i parë i fondeve mund të nisë që në verën 2024. Por sipas Abedinajt, kjo mund të kërkojë kohë duke marrë parasysh faktin se BE ndodhet para zgjedhjeve.
“Një pjesë e fondeve alokohen nëpërmjet instrumentave ekzistues, si banka evropiane për zhvillim. Në momentin që ka kaluar plani i rritjes, zëdhënësja e komisionit ka parashikuar se alokimi i parë mund të ndodhë brenda verës 2024 por ky është një proces që varet nga dinamikat politike atje dhe nga gatishmëria e vendeve të Ballkanit në lidhje me detyrat që kanë.
Gjithashtu mendoj se në këtë aspekt mund të luajë, varësisht deklaratave se alokimi mund të ndodhë brenda periudhës së verës 2024, duken marrë parasysh dinamikat politike në BE, janë në prag të zgjedhjeve dhe mund të ketë dinamika që mund të ndikojnë në këtë proces”, tha Abedinaj./abcnews.al