Plani i Kremlinit për të destabilizuar Perëndimin

schedule11:33 - 12 Korrik, 2021

schedule 11:33 - 12 Korrik, 2021

Nga Jade McGlynn, The Spectator

Ditët e fundit Rusia ka bërë publike Strategjinë e saj të re të Sigurisë Kombëtare. Në shumë aspekte, ajo bazohet në një version të përditësuar të strategjisë së vitit 2015, pranë një kryqëzatë për të politizuar dhe polarizuar çdo aspekt të kulturës ruse.

Kjo nuk është një strategji për sigurinë e vendit por për qeverinë ruse:dokumenti flet për mobilizimin e kombit rus, madje edhe vetë identitetit rus, kundër armiqve brenda dhe jashtë vendit. Përveç disa referencave më të matura mbi ekologjinë dhe partneritetin me Kinën, shumica e strategjisë është një retorikë paranojake kundër “armiqve të brendshëm dhe të jashtëm” të Rusisë, një term që përmendet shpesh.

Ky term spikat në thuajse çdo faqe, duke shoqëruar diskutimet me interes kombëtar, ato mbi kohezionin sociale, ekonominë dhe stabilitetin strategjik. Por këto kërcënime përmenden më qartë në faqet që flasin mbi problemet kulturore, të vërtetën historike dhe vlerat shpirtërore dhe morale.

Sipas autorëve të strategjisë, Rusia duhet të përballet me ndikimin destabilizues të SHBA-së dhe aleatëve të saj,teksa këta të fundit dëshpërimisht kërkojnë të ruajnë dhe të ri-vendosin hegjemoninë e tyre globale, që sipas Moskës është në shpërbërje e sipër.

Hegjemonia perëndimore-amerikane përcaktohet në këtë strategji më shumë në terma kulturorë, sesa ushtarakë apo gjeopolitikë. Referenca të tilla ndaj kërcënimit të “perëndimorizimit kulturor”, dalin lehtësisht nga diskursi politik rus i dekadës së fundit, që e thotë se kombi rus jeton përballë rrezikut të madh nga kolonizimi kulturor amerikan, e ilustruar shpeshherë kjo përmes preteksteve më minimale.

Media shtetërore ruse, u ka thënë audiencave se ky kolonizim do ta shndërronte Rusinë në  Gayropa, një term ofendues që përdoret për të shtrembëruar tolerancën evropiane ndaj diversitetit seksual. Ndërkohë, politikanët rusë janë përpjekur që ta përshkruajnë rolin global të Rusisë si pothuajse kundërrevolucionar, duke udhëhequr mbrojtjen e Evropës “së vërtetë”, të vlerave tradicionale dhe “sovranitetit kulturor”.

Kjo frazë e fundit bie shumë në sy në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare 2021, sidomos në seksionin me titull:“Mbrojtja e vlerave shpirtërore dhe morale tradicionale ruse, kulturës dhe kujtesës historike”. Këtu me një fjalor të huazuar nga shkrimtari rus Fjodor Dostojevski, pretendohet se këto vlera tradicionale “i nënshtrohen sulmeve aktive nga SHBA-ja dhe aleatët e saj”, të cilët propagandojnë një shoqëri ku “lejohet çdo gjë”.

Përgjigjet e Kremlinit kundër këtyre “forcave shkatërruese” janë shumë të gjera. Disa kanë të bëjnë me sferën ndërkombëtare, përkatësisht me rritjen e rolit të Rusisë në hapësirën globale të shkencës, arsimit dhe informacionit (domethënë përmes medias si Russia Today dhe Sputnik).

Kundërpërgjigja përfshin forcimin e vlerave familjare dhe tradicionale; përdorimin e mediave të kontrolluara nga shteti për të promovuar “vlerat ruse”; financimin e klubeve të të rinjve me “formim patriotik”; kontrollimin e narrativave historike që vihen në dispozicion të publikut; promovimin e kishës dhe fesë; dhe premtimin për të mbrojtur popullin rus nga idetë dhe vlerat e huaja.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare 2021 shpjegon se si “idealet dhe vlerat e huaja” jo vetëm që shkatërrojnë bazat e sovranitetit kulturor, stabilitetit politik dhe shtetësisë, por pretendohet se ato po shkaktojnë dëme të pariparueshme mbi “shëndetin moral” të një njeriu.

Në këtë mënyrë, kërcënimi i drejtohet njëkohësisht si qytetarit ashtu edhe shtetit rus. Në të dyja rastet, ai paraqitet si ekzistencial, që synon shkatërrimin e identitetit, qoftë individual apo kombëtar. Kjo përzierje e qëllimshme e identiteteve kombëtare, shtetërore dhe personale, funksionon shumë mirë për shtypjen e të drejtave dhe nevojave të individit brenda Rusisë. Kjo qasje është gjithashtu pjesë e një fushate të vazhdueshme të qeverisë ruse për të mobilizuar popullin kundër koncepteve universale siç është sundimi i ligjit dhe demokracia, duke i bindur ata të kenë frikë nga një“pushtim dhe imponim i vlerave perëndimore”.

Rritja e kontrollit nga shërbimet e sigurisë mbi universitetet ruse që më parë ishin të lira, goditja e fortë ndaj politikanëve edhe mediave opozitare, dhe vendosja në listën e zezë të programeve më të mëdha të shkëmbimit arsimor me universitetet në SHBA dhe Britani, janë që të gjitha akte që synojnë izolimin dhe distancimin e rusëve nga Perëndimi.

Në këto kushte, qeveritë dhe popujt perëndimorë duhet të bëjnë çdo përpjekje për të minuar argumentet e Kremlinit. Shumë njerëz bien dakord me konstatimin se kultura ruse është e pashembullt në pasurinë e saj. Ajo meriton shumë më shumë sesa të përdoret vetëm si një mjet presioni, polarizimi dhe ndarjeje.

Për më tepër, çfarëdo që të thotë Strategjia e Sigurisë Kombëtare e këtij viti, qeveria ruse dhe populli rus nuk janë e njëjta gjë, dhe kombet perëndimore duhet ta kenë të qartë këtë ndryshim. Ndihma ndaj popullit rus,mund të marrë forma të ndryshme, nga festivalet e letërsisë ruse, tek mbështetja financiare dhe logjistike për një universitet të ri të Evropës Lindore për studentët dhe akademikët e shtypur nga regjimi në Rusi.

Mbretëria e Bashkuar mund të zgjerojë “Bursën Chevening”, për të lejuar studimin këtu të studenteve më të mirë rusë, në vend se të privilegjojë trashëgimtarët e praruar të kleptokracisë së Kremlinit siç po bëjmë aktualisht.

Ne nuk mund të bëjmë shumë kundër qeverisë ruse, dhe ndoshta as vetë qytetarët rusë. Por ndërsa Kremlini po përshpejton përpjekjet e tij për të izoluar rusët nga Perëndimi, ne që jetojmë në demokracitë liberale duhet të ofrojmë miqësi gjithnjë e më të mëdha dhe të ngrohta. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al