Përmbytjet katastrofike si ato që goditën Europën Perëndimore në ditët e fundit do të bëhen më të shpeshta në vitet në vazhdim, kjo si rezultat i ngrohjes globale. Studiuesit paralajmërojnë se këto stuhi mund të bëhen deri në 14 herë më të zakonshme deri në fund të shekullit.
Sa më ngadalë të lëvizë një stuhi aq më shumë shi bie në një zonë të vogël dhe aq më i madh është rreziku i përmbytjeve të mëdha. Studiuesit thotë se ishte e pritshme që temperaturat e larta të ajrit të shkaktuara nga kriza klimatike, do të sillte reshje në sasi ekstreme.
Analiza e fundit është e para që vlerëson rolin e stuhive me lëvizje të ngadaltë. Stuhitë e parashikuara në studimin e ri po lëvizin edhe më ngadalë se ato që përfshinë Gjermaninë, Hollandën dhe vendet e tjera javën e kaluar, duke rrezikuar reshje akoma më ekstreme dhe përmbytje .
Ekspertët nga Shërbimi Meteorologjik Britanik thonë: “Ky studim tregon se përveç intensifikimit të reshjeve me ngrohjen globale, ne gjithashtu mund të presim një rritje të madhe të stuhive që lëvizin ngadalë . Kjo është shumë në përputhje me përmbytjet e fundit në Gjermani dhe Belgjikë, të cilat nënvizojnë efektet shkatërruese të lëvizjes së ngadaltë.”
Studimi tregoi se rritja më e madhe e stuhive me lëvizje të ngadaltë në tokë ndodh në verë. Intensiteti dhe shkalla e përmbytjeve të fundit në Evropën Perëndimore , ku gati 200 njerëz kanë vdekur, kanë tronditur shkencëtarët të cilët nuk prisnin katastrofa të këtyre përmasave.
Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi një nga zonat më të goditura dhe tha: “Ne duhet të rrisim “luftën” kundër ndryshimit të klimës”.
Studimi, i botuar në revistën Geophysical Research Letters, përdori modele llogaritëse me rezolucion të lartë. Shkencëtarët kanë vlerësuar ndryshimin në lëvizjet e ngadalta të stuhisë në një skenar ku emetimet e karbonit nuk ulen dhe vazhdojnë të rriten.
“Kjo na jep një ide shumë të dobishme sesi ndryshimi i klimës mund të transformohet nëse njerëzit nuk ndryshojnë vërtet për sa i përket emetimeve ose sjelljes,” thonë autorët e studimit.
Burimi: Guardian
m.v/abcnews.al