Ceremonia mortore e shkencëtarit iranian Mohsen Fakhrizadeh, është mbajtur në Teheran të martën.
Gjatë dy dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë përdorur dy strategji të ndryshme nga njëra-tjetra për të mbajtur në kontroll programin bërthamor të Iranit.
Njëri program ka zbatuar sanksione dërrmuese ndaj regjimit, ka zhvilluar operacione të fshehta për të çaktivizuar objektet kryesore ose për të vrarë shkencëtarët dhe ka kërcënuar hapur për veprimet ushtarake.
Tjetri program ka qenë negocimi i marrëveshjeve me Teheranin , të tilla si pasurimi me uranium, dhe inspektimet ndërkombëtare.
Tani është mese e qartë se cila funksionon më mirë.
Dy vite e gjysmë më parë, presidenti Trump hodhi poshtë marrëveshjen diplomatike të negociuar nga administrata Obama dhe zbatoi atë që ai e quajti “presion maksimal”.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, megjithëse ishte e gabuar, pati sukses në “ngrirjen” e pasurimit me uranium të Iranit.
E vetmja gjë që u arrit ishte se të paktën deri në mesin e viteve 2020, Irani nuk garoi për ndërtimin e një bombe. Në të kundërt, sanksionet dhe sabotimet, edhe kur kanë qenë të suksesshme, nuk kanë arritur ta ndalojnë Iranin të përparojë në prodhimin e armëve bërthamore .
Fakti që Irani ka shënuar rekorde të ndërtimit të armëve bërthamore, nuk do të zbehet pavarësisht vrasjes së javës së kaluar të shkencëtarit bërthamor iranian.
Operacioni që vrau Mohsen Fakhrizadeh ishte një pjesë e një punë të fshehtë -siç ishte shpërthimi misterioz në korrik që shkatërroi një impiant prodhimi për centrifugat nukleare. Sanksionet amerikane, të cilat vazhdojnë të rriten, e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane.
Megjithatë, që nga maji i vitit 2018, kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore shumëpalëshe, Irani ka rritur rezervat e tij të uraniumit në 12 herë më shumë në krahasim me kufizimet që kishte në fillim të marrëveshjes, sipas inspektorëve të OKB.
Ai ka nisur pasurimin e uraniumit në një objekt nëntokësor që besohet të jetë i paprekshëm nga sulmet ajrore dhe ka filluar të operojë një gjeneratë të re të centrifugave nukleare më të përparuara. Disa ekspertë besojnë se mund të prodhojnë një bombë brenda pak muajsh, transmeton abcnews.al
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili zhvilloi një fushatë kundër marrëveshjes së vitit 2015, vazhdon të bëjë presion pavarësisht mungesës të dukshme të suksesit strategjik.
Pasi Trump humbi zgjedhjet presidenciale nga Joe Biden, Netanyahu deklaroi se “nuk do të ketë përsëri një marrëveshje bërthamore”, edhe pse ky është plani i njoftuar i Biden.
Udhëheqësi izraelit mund të shpresojë që vrasja e Fakhrizadeh mund ta bëjë më të vështirë çdo rifillim të marrëveshjes; nëse Irani hakmerret, ai mund të përdorë pretekstin për të kryer sulme ushtarake kundër Iranit – një opsion që është diskutuar me këshilltarët edhe gjatë muajit të kaluar.
Presidenti iranian Hassan Rouhani, qeveria e të cilit negocioi marrëveshjen bërthamore, thuhet se po kërkon të shmangë sulmet e hakmarrjes për vrasjen, në pritje të inaugurimit të Biden.
Të dy palët do të përfitonin nga diçka e tillë. Presidenti i zgjedhur vështirë se do të jetë një person i cili do të ndikohet lehtë për sa i përket çështjeve në lidhje me Teheranin – ai do të përpiqet të krijojë marrëveshje me Iranin për çështje të tilla si zhvillimi i raketave me rreze të gjatë dhe eksportet e armëve rreth rajonit.
Biden do të fokusohet në përdorimin e diplomacisë në Lindjen e Mesme që, ndryshe nga linja e ashpër e Trump dhe Netanyahu, ka treguar rezultate pozitive. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al