“Plaku i artë”, Lebron/ ‘Mbreti i basketbollit’, i jashtëzakonshëm edhe 40 vjeç

schedule12:47 - 12 Nëntor, 2024

schedule 12:47 - 12 Nëntor, 2024

Mund të cilësohet si Kristiano Ronaldo i koshit, por besohet se vlen edhe më shumë.

Lebron Xhejms do edhe një muaj që të mbushë 40 vjeç, por niveli i basketbollit të tij është sikur të jetë 25 apo maksimumi 30.

Njeriu që po thyen çdo rekord, që është më i kompletuari në të gjithë historinë e NBA-së, dhe që po sfidon Majkëll Xhordanin për titullin e më të mirët të të gjitha kohëve, arriti edhe një tjetër “gur kilometrik”.

Në ndeshjen ndaj Torontos u bë më i vjetri që kur ka nisur kampionati amerikan I koshit që realizon dy tripëll dabëlla radhazi.

Kundër kanadezëve, Lebroni pati 19 pikë, 10 topa në tabela, 16 asistë.

Një ndeshje më parë, shkëlqeu kundër Filadelfias, sërish në fitore, me 21 pikë, 12 topa në tabela, 13 asistë.

Lejkërsat ia dolën në të dyja sfidat me shifrat 123-103 dhe 116-106.

Këtë sezon ndoshta mund të thyejë rekordin e Karl Malounit si më i vjetri lojtar i NBA-së me një tripëll dabëll.

I mbiquajturi “Postieri” e bëri në moshën 40 vjeç e 127 ditë.

Xhejms ka tre tripëll dabëlla këtë sezon, dhe 115 në karrierë

Niveli I lojës së “Mbretit të basketbollit” edhe këtë edicion është I jashtëzakonshëm.

Ai ka mesataren 23.2 pikë, 7.7 topa në tabela e 8.9 asistë për ndeshje.

Vetëm pesë yje janë mbi të, Nikola Jokiç, Janis Adetokumbo, Entoni Dejvis, Xhejzën Tatëm dhe Karl-Entoni Tauns.

“Është shumë e bukur sasia e kilometrave që kam në rrota, ndërsa unë vazhdoj të luaj në një nivel kaq të lartë. Zoti më ka dhuruar disa aftësi të veçanta dhe unë vazhdoj t’i shfrytëzoj cilësitë e mia.

Nuk kam ndërmend të shkoj kot talentin që më është dhuruar. Unë bëj gjithçka para dhe pas ndeshjeve që të jem në formën më të mirë. Nuk e di se përsa kohë mund të vazhdoj ta bëj këtë. Do të përpiqem të vazhdoj sa më shumë. Nuk kam ndërmend të vazhdoj derisa të vdes në fushë. Unë do t’iua them vetë këtë”.

Nuk dihet nëse Lebron do të arrijë ta fitojë titullin e pestë në karrierë.

Lejkërsat nuk janë larg kreut të Konferencës Perëndimore, ndonëse skuadra të tilla si Feniksi, Oklahoma, Golden Stejti apo Denveri nuk kanë ndër mend të hapin rrugë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!