Plagosja e dyfishtë në Tiranë, tre në pranga, si nisi sherri, njëri nga autorët ishte në “arrest shtëpie”

schedule08:23 - 14 Tetor, 2021

schedule 08:23 - 14 Tetor, 2021

Tre persona janë arrestuar, mes tyre njëri nga të plagosurit për ngjarjen që ndodhi pasditen e djeshme te ish-Parku i Autobusëve, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë. Të arrestuar për plagosjen e dyfishtë janë autorët Fatjon Palushi 27 vjeç, Daniel Manushi 27 vjeç dhe njëri prej të plagosurve, Aleksandër Nikolla për moskallëzim krimi, ndërsa personi tjetër që u qëllua dhe që ndodhet në spital është Xhulio Vela. Ndërkohë që një tjetër person i përfshirë u shpall në kërkim. Policia ka sekuestruar armën e zjarrit.

Por si ndodhi ngjarja?

Sipas kronologjisë së policisë rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dy të arrestuarit si autorë të krimit kanë plagosur me armë zjarri Aleksandër Nikollën 28 vjeç dhe Xhulio Velën 26 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Të arrestuarit janë persona me precedent penal, Fatjon Palushi madje ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drogë, por vendimi i gjykatës nuk e ka penguar që të dalë dhe të kryejë një tjetër krim, ndërsa Daniel Manushi i dënuar për tentativë vrasje.

Për ngjarjen është shpallur në kërkim edhe një tjetër person, Islam Xhetani 28 vjeç, i dënuar më parë për tentativë vrasje. Policia thotë se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta. Nuk përjashtohet as pista e një sherri për çështje të lëndëve narkotike.

Në 28 janar të 2020, Xhulio Vela bashkë më 6 persona të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, u arrestua në Itali me 2 kg marjuanë, si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike. Por në rrethana ende të paqarta ai fitoi lirinë në vendin fqinj. Disa muaj më parë ai ishte arrestuar sërish për shpërndarje droge në Tiranë./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!