Plagosja e dyfishtë në Tiranë, reagon kompania e ndërtimit: Allmuça s’ka qenë prezent në kantier

schedule15:49 - 13 Janar, 2021

schedule 15:49 - 13 Janar, 2021

Pas një konflikti mes dy biznesmenëve për një pallat në ndërtim, që përfundoi në plagosjen e dy personave, ka reaguar edhe kompania e përfshirë.

Në reagim, thuhet se një nga biznesmenët që mendohet të ketë qenë i përfshirë, Albert Allmuça, në fakt nuk ka qenë në asnjë moment prezent në kantierin e ndërtimit ditën e sotme.

Më tej në reagim thuhet se pas marrjes së informacionit se disa persona kishin sulmuar rojet e kompanisë private të sigurimit të kantierit, “Allmuça u paraqit menjëherë pranë komisariatit Nr. 2 për t’u informuar për ngjarjen.”

Ndërsa, sa i përket marrëdhënies me shoqërinë “Llanaj Ndërtim shpk”, kompania sqaron:

Kompania “Star Construction shpk” është investitore dhe zbatuese e vetme e punimeve në kompleksin e banimit në territorin e zones kadastrale Nr.8220, me numra pasurie 7/336, 7/259, dhe 7/260, midis rrugeve “Ndre Mjeda” dhe “Babe Rexha”, Tiranë, e pajisur me leje përkatëse ndërtimi nga Bashkia Tiranë. Në fillimin e punimeve kompania “Star Construction shpk” ka kryer një kontratë bashkëfinancimi me “Llanaj Ndërtim shpk” për të siguruar një pjesë të punimeve në kompleks. Të drejtën ekskluzive për të nënëshkruar kontratat e shitjes së apartamenteve dhe njësive të shërbimit i përket shoqërisë “Star Construction shpk”.

Në ngjarjen e mëngjesit të sotëm, të plagosur me armë zjarri mbetën biznesmeni Sino Llanaj si dhe një qytetar që po kalonte rastësisht  Klodjan Komina.

I lënduar me mjete të forta dhe me grushte në kokë dhe trup mbeti edhe roja i pallatit. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!