Pjesëmarrje shumë e ulët/ Referendumi në Veri, dështim i paralajmëruar

schedule16:25 - 21 Prill, 2024

schedule 16:25 - 21 Prill, 2024

Sukses i Listës Serbe apo dështim i paralajmëruar mbi referendumin për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Këtë të diel janë hapur kutitë e votimit që në orën 07:00, dhe pjesëmarrja është regjistruar me disa dhjetëra votues. Sipas parashikimeve, nuk do ketë luhatje të mëdha deri në mbyllje te qendrave të votimit në orën 19:00.

KQZ  ka raportuar vetëm disa probleme të vogla teknike, duke bërë që disa qendra votimit të hapen me vonesë.

Thirrjet e i Listës Serbe për të bojkotuar votimet në katër komunat e banuara me shumicë serbe edhe pas thirrjeve të ambasadorëve të SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë duket se ka patur sukses.

Ndërkohë, kamerat janë vendosur dhe anëtarët vëzhgues nga  Bashkimi Evropian janë të paktën 60 që po vëzhgojnë procesin e votimit.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, DnV ndërkaq ka kritikuar KQZ-në për vonesa që të informojë qytetarët se ku janë qendrat e votimit. Po ashtu tha se vendosja e kamerave të vëzhgimit në vendvotime mund të përbëjë cenim të fshehtësisë së votës, për shkak të pozicionit se ku janë vendosur.

Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Në katër komunat në veri do të jenë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.

Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe nuk mund te shkohet ne zgjedhje te reja pa kaluar 12 muaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!