Pjesë e “Ndrangheta-s”, vrasësi italian gjendet pas 16 vitesh duke punuar si kuzhinier

schedule11:03 - 3 Shkurt, 2023

schedule 11:03 - 3 Shkurt, 2023

Një vrasës italian, që besohet se i përket një prej organizatave më të fuqishme mafioze të vendit, është gjetur duke punuar si kuzhinier picash dhe është arrestuar pas 16 vitesh në arrati.

Edgardo Greco, 63 vjeç, dyshohet se i përket organizatës famëkeqe ‘Ndrangheta, një organizatë e fuqishme mafioze në Kalabri. Interpoli tha se ai u arrestua të enjten në qytetin francez Saint-Etienne, ku kishte drejtuar një restorant picash.

I përshkruar si një “i arratisur i rrezikshëm”, Greco kërkohej në Itali për të vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasjen e Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo, tha Interpol në një deklaratë.

Vëllezërit Bartolomeo u rrahën për vdekje me shufra hekuri në një magazinë peshku në janar 1991. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe besohet se janë tretur në acid.

’Ndrangheta konsiderohej grupi mafioz më i madh dhe më i fuqishëm i Italisë, që vepronte në mbarë botën dhe me lidhje të forta me tregtinë e kokainës që vinte në Europë nga Amerika e Jugut.

Pas arrestimit të tij në orët e para të mëngjesit, ai doli para një gjyqtari hetues në Lion, i cili e njoftoi zyrtarisht për urdhër-arrestin e Italisë, thanë prokurorët. Më pas ai është dërguar në paraburgim.

Arrestimi i Greco erdhi një javë pasi policia italiane tha se kishte çmontuar një bandë që dominonte një zonë të madhe të Kalabrisë jugore dhe sekuestroi asete me vlerë mbi 250 milionë euro.

Pesëdhjetë e gjashtë persona, shumë prej tyre tashmë në burg, janë në hetim penal për një sërë krimesh, duke përfshirë konspiracion të lidhur me mafian, zhvatje, rrëmbim, ryshfet dhe posedim armësh, sipas policisë dhe prokurorëve.

Muajin e kaluar, policia italiane arrestoi një nga bosët më famëkeq të mafies siciliane Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro , i cili kishte qënë në arrati për më shumë se 30 vite.

60-vjeçari u arrestua në një një klinikë shëndetësore ku po merrte trajtim  në kryeqytetin sicilian, Palermo.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!