Juventusi fitoi derbin e Torinos me përmbysje. McKenie dhe Bonuçi ndëshkuan “demat” dhe bardhezinjtë i bëjnë presion Milanit të vendit të parë. Pavarësisht triumfit, trajneri Andrea Pirlo e pranoi se skuadra e tij nuk bëri një ndeshje të mirë dhe vetëm pas pushimit lojtarët e kuptuan se janë Juventusi.
“Është më rraskapitëse si lojtar, shumë ndryshe si lojtar, por ndjenja e fitores është e njëjtë. Kur humb çdo duel bëhet e vështirë të kontrollosh lojën. Ishim shumë statikë dhe kur je përballë një mbrojtjeje me pesë vetë bëhet edhe më e vështirë. Ne u kujtuam pas pushimit të ndeshjes që ADN-ja e Juventusit kërkon që të luhet me zemër dhe të sakrifikohet.
Kur e vendosni Torinon në gjysmën e fushës së vet, bëhet më e lehtë të komandosh lojën. Jo të gjithë mund të japin 100 për qind të asaj që kanë, por ata që u futën në lojë ishin të vendosur dhe me shpirt sulmues, çka na dha edhe fitoren.
Nëse luan pa zemër, atëherë lëviz pak dhe mblidhen të gjitha bashkë. Ndonjëherë nuk është e lehtë të gjesh hapësira dhe korridore, por duhet të luftosh. ADN-ja duhet të jenë në qendër të vëmendjes gjithmonë”, përfundoi Pirlo deklaratën e tij pas ndeshjes me Torinon. /abcnews.al