Juventusi dëshiron të reagojë pas humbjes 0-3 ndaj Milanit, madje e ka detyrë një gjë të tillë. Për fatin e mirë të bardhezinjve, ndeshja e radhës vjen shpejt. Ekipi i Andrea Pirlos luan përballë Sassuolos në transfertë nesër, sfidë që nis prej orës 20:45.
Objektivi Champions League është në rrezik. Juventusi renditet në vend të pestë dhe mund të mos ia dalë edhe nëse i fiton tre takimet që kanë mbetur. Përballja me Sassuolon është tepër e vështirë, por Andrea Pirlo pret reagimin dhe fitoren nga djemtë e tij.
“Sigurisht që duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe ndaj Sassuolos, nuk dua të shoh tërheqje apo dorëzim te lojtarët. Unë jam pjesë e futbollit prej vitesh dhe çfarë nuk kam parë. Jemi në lojë për vendin e katërt, që vlen kualifikimin në Champions League.
Duhet të jemi pozitive, kemi ende mundësi për ta realizuar këtë objektiv. Humbja 0-3 ndaj Milanit na ka shkaktuar zhgënjim të madh. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por objektivi ynë nuk ndryshon. Nesër na duhet një provë kolektive e krenarisë.
CR7? Ai ka luajtur shumë ndeshje dhe është paraqitur mirë. Të shohim sot gjendjen e tij, më pas do të vendosim nëse do të luajë. Cris është shumë i rëndësishëm për ne, shpresoj t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion për takimin ndaj Sassuolos.
Danilo i ka lënë pas problemet fizike. Nesër mund ta nisë si titullar, bashkë me Arthur. A ndjej frikë? Jo, fare. Unë mendoj vetëm për të mirën e Juventusit, që vjen përpara të gjithëve ne të tjerëve. Fati im varet nga rezultatet që do të arrijmë“, përfundoi Pirlo. /abcnews.al