Pirlo: Luaja Playstation kur më besoi Lucesku! Dybala? Ishte zemëruar, por…

schedule19:36 - 19 Tetor, 2020

schedule 19:36 - 19 Tetor, 2020

25 vite më parë Andrea Pirlo po luante Playstation kur Mircea Lucesku e thirri në ekipin e parë. Asokohe trajneri aktual i Dynamo Kyev drejtonte në Itali Brescian dhe i besoi mesfushorit që në moshën 16-vjeçare. Pirlo më pas bëri karrierë si lojtar, duke fituar gjithçka me Milanin dhe më pas tregoi klasin e tij edhe me fanellën e Juventusit.

Këta të fundit i kanë besuar stolin dhe nesër Pirlo e Lucesku përballen mes tyre në Champions League. Trajneri i bardhezinjve nuk ka emocione, ndërkohë që nuk e fsheh nostalgjinë e asaj që ka kaluar me Luceskun. Më pas fokusi te ndeshja, mungesa e Ronaldos, çështja Dybala dhe objektivi i fitimit të Champions League. Pirlo ka folur hapur në konferencë shtypi.

NOSTALGJIA – “Do të bej siç bëjnë lojtarë e mirë, do fle, do ha dhe pastaj do të shkoj në stadium për ndeshjen. Nuk do të bëj siç bëra vite më parë kur isha duke luajtur Playstation… Lucesku më mori në ekip të parë 15 vjeç dhe debutova kur isha 16. Kam një kujtim të mrekullueshëm me të si trajner dhe njeri. Flasim herë pas herë dhe nesër kemi mundësin të sfidojmë njëri-tjetrin. E njoh Luceskun mirë, ai është një trajner ekspert. Të gjithë kanë idetë e tyre dhe unë do të përpiqem ta vë atë në vështirësi”.

 

CRISTIANO – “Ronaldo fatkeqësisht ka COVID dhe mungon sikurse të shtunë. Kemi lojtarë të tjerë që mund të luajnë në pozicionin e tij. Kundër Crotone luajti Morata dhe nuk mendoj se do të bëjmë ndonjë ndryshim në sulm. Në pozicionet e tjera do të shohim nesër dhe do të vendosim.

EMOCIONET E CHAMPIONS – “Jam i qetë sepse fatkeqësisht nuk mund të luaj më. U lë disa emocione lojtarëve të mi. Mezi pres që të nisë dhe ndeshja e parë është e rëndësishme në këto turne. Duhet të fitoni për të pasur më shumë siguri dhe për të kaluar grupin më pas. Titulli i sigurt, po Champions League?

Kurrë nuk e kam thënë se do ta fitojmë titullin, por që jemi një ekip i ndërtuar për të fituar. Juventusi luan në të gjitha kompeticionet për të fituar. Në dy ndeshjet në transfertë, në Crotone dhe Romë, kemi lënë pikë dhe siç e kam përmendur jemi një ekip në ndërtim e sipër. Duhet të punojmë që të bëjmë në fushë atë që bëjmë në stërvitje”.

 

DYBALA DHE FORMACIONI – “Kam folur me të, sikurse bëj edhe me të gjithë lojtarët e tjerë. Ai ishte paksa i zemëruar sepse nuk kishte luajtur kundër Crotone. Gjithsesi duhet të kujtojmë se ka tre muaj që nuk luan. Ai kaloi 10 ditë në dhomën e tij në Argjentinë, për shkak se nuk mund të stërvitej. E mora në Crotone me dëshirën për t’i dhënë disa minuta, por fatkeqësisht mbetëm me 10 lojtarë dhe nuk mund ta hidhja në fushë.

Ai është i gatshëm për nesër dhe të shohim se çfarë do të bëjmë. Dybala është i rëndësishëm për ne, pasi është një kampion. Ai nuk po luan sepse nuk ka qenë në gjendje të stërvitet vazhdimisht. Në fushë mund të luajë kudo, pasi lojtarët e mirë në fushë e gjejnë vetë pozicionin e tyre. Duke qenë një sulmues ai duhet të qëndrojë sa më pranë portës, ose në çdo rast mes linjave. Sa i takon formacionin, do të shikoj ata që janë më në formë dhe do të zgjedh. Kemi lojtarët e duhur për të bërë një ndeshje të shkëlqyer dhe nuk e kam problem për t’i zgjedhur 11 titullarët”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!