Juventusi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertën e Lazios, ku të besuarit e Pirlos lëshuan sërish pikë në Serie A. Gjithçka po shkonte mirë për bardhezinjtë deri në fundin e takimit, por ishte Felipe Caicedo, ai që vendosi barazpeshën në “Olimpico” në minutën e pestë shtesë.
Pas ndeshjes Pirlo u shpreh i lumtur për lojën e zhvilluar, por kërkoi më shumë përqëndrim nga ana e lojtarëve. Italiani u ndal dhe tek dëmtimi i Ronaldos, i cili shqetësoi kampin juventin.
“Ne luajtëm një ndeshje shumë të mirë, ata nuk e goditën asnjëherë portën tonë. Kampionati fitohet nëse ne kujdesemi për çdo detaj. Ne humbëm topin në dhjetë sekondat e fundit dhe ata shënuan. Meritonim më shumë”, deklaron italiani për “DAZN”.
“Ronaldo? Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe i tillë ka qenë për çdo ekip që ka luajtur. Kishte një problem me kyçin e këmbës dhe u detyrua ta mbyllte më herët takimin.
Mungesat e sotme nuk duhet të jenë justifikime. Ne e filluam shumë mirë sfidën, por kishim probleme me menaxhimin e topit. Po punojmë çdo ditë dhe kërkoj maksimumin nga ekipi në çdo ndeshje”, përfundon Pirlo. /abcnews.al