Inter-Juventus është një nga çiftet gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Nesër në mbrëmje (20:45) luhet ndeshja e parë në “San Siro”, stadium ku zikaltrit e Antonio Contes fituan 2-0 sfidën e kampionatit të luajtur më 17 janar.
Kampionët e Italisë duan të reagojnë, të “hakmerren” për atë humbje dhe të hedhin një hap të sigurt drejt kalimit në finalen e madhe (sfida e kthimit luhet në Torino, 9 shkurt). Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo preku disa tema në konferencën për shtypin.
“Humbja në kampionat na mësoi shumë gjëra. Mbi të gjitha na mësoi se nuk jemi vetvetja kur nuk ndodhemi në rrugën e duhur. Prej asaj humbje u rinisëm dhe po tregojmë gjëra të mëdha. Patëm fatin që u ndeshëm menjëherë me Napolin në finalen e Superkupës.
Nesër pres Interin e zakonshëm. Ata do të tentojnë të vënë në praktikë idetë e tyre. Trajnerin e tyre e njohim shumë mirë dhe jemi përgatitur këto ditë për atë që në pret ndaj Interit. Janë të fortë në mbrojtje dhe nisen menjëherë në kundërsulm.
Kanë lojtarë të shpejtë, të cilët janë të rrezikshëm në inkursionet që marrin. Duhet të zhvillojmë një ndeshje shumë të kujdesshme. Djemtë e mi kanë një dëshirë të brendshme për të fituar, kjo është diçka thelbësore për një ekip ambicioz si Juventusi.
Formacioni? Ndryshime do të ketë. Buffon do të rikthehet titullar në portë, teksa Ramsey është mungesa e vetme. Pësoi një lëndim në stërvitje dhe do të mundohemi ta rikuperojmë për takimin e fundjavës në kampionat (Juventus-Roma).
Bonucci po zhvillon ndeshje të mëdha, sidomos në aspektin e agresivitetit. Kjo na jep forcë të madhe për pjesën tjetër të sezonit. Arthur e shoh si ‘mezzala’. Është shumë i mirë në qarkullimin e topit dhe lëviz e vrapon pa fund. Braziliani na jep shumë gjeometri.
Morata? Alvaro është qendërsulmuesi modern që donim. Ia dolëm ta rikthenim në shtëpi dhe po na ndihmon shumë. Ai nuk është një sulmues statik, i pëlqen të lëvizë, kombinon bukur me shokët dhe di të sulmojë mirë hapësirat“, përfundoi trajneri italian. /abcnews.al