Pirlo: Inter, është edhe Juventusi! Kulusevksi? Këtu nuk është te Parma

schedule08:25 - 23 Shkurt, 2021

schedule 08:25 - 23 Shkurt, 2021

Juventusi bëri detyrën, duke mposhtur me rezultatin 3-0 skuadrën e Crotone. Kampionët në fuqi kanë tetë pikë më pak se Interi kryesues dhe atë distancë mund ta çojnë në pesë, duke mundur Napolin në ndeshjen e prapambetur mes tyre. Pas triumfit të djeshëm, trajneri Andrea Pirlo foli për sfidën, rivalitetin për titull dhe për lojtarë si Kulusevski dhe Chieda.

“Ishim pak nervozë në fillim dhe kjo ndoshta për shkak të humbjeve të fundit me Napolin dhe Porton. Golat pastaj na ndihmuan dhe na dhanë qetësinë e duhur. Pastaj e menaxhuam mirë ndeshjen. Nisja nuk ishte më e mira, por e rëndësishme është të merrnim tre pikët. Rivalët për titull? Të gjitha skuadrat që janë pas Interit janë rivalë dhe ne jemi një prej tyre, që do të luftojmë deri në fund”, tha fillimisht Pirlo për Sky Sport Italia.

“Kulusevksi në sulm? Duhet të përpiqemi të lëvizim më mirë. Alvaro Morata nuk është ende në më të mirën e tij dhe i duhet pak kohë. Nëse kemi Ronaldon, atëherë sulmi duhet të zhvillohet ndryshe. Kulusevski nuk është sulmues dhe i kemi kërkuar lëvizje të ndryshme. Duhet të luajmë më gjerë, në mënyrë që të gjejmë Ronaldon pranë portës.

Të luash me Juventusin dhe Parmës janë dy gjëra të ndryshme. Parma mbase ka luajtur më shumë në kundërsulm, kurse ndaj Juventusit skuadrat mbyllen në mbrojtje. Ai po përshtatet në një rol që nuk është i tij dhe po paraqitet mirë. Kulusevksi punon mirë edhe kur nuk ka topin dhe po na ndihmon shumë. Sigurisht që mund të bëjë edhe më shumë”, shtoi trajneri i Juventusit.

“Chiesa është më mirë në të djathtë për shkak të mënyrës së lojës së tij dhe sulmit një kundër një. Gjithsesi ai u paraqit mirë edhe në të majtë, pasi arrin të krosojë mirë edhe me këmbën e majtë. Pavarësisht kësaj pozicioni i tij është anësor dhe ne mundohemi ta aktivizojmë aty”, përfundoi Andrea Pirlo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!