Dy humbje radhazi jashtë fushe për Juventusin. Pas disfatës 1-0 në Napoli në kampionat, bardhezinjtë e Andrea Pirlos u mposhtën 2-1 në fushën e Portos, sfida e parë e raundit të 1/8 të Champions League.
Trajneri i kampionëve të Italisë foli pas ndeshjes duke analizuar ndeshjen e dobët të djemve të tij. Pirlo flet troç dhe tregon se çfarë nuk shkoi në mbrëmjen e sotme.
“Kur pëson një gol si ai që pësuam ne, është normale që të humbasësh disi sigurinë. Nuk ishte fillimi që kishim menduar të bënim. Ne e ngritëm ndeshjen përsëri në këmbë siç shpresonim, edhe pse fillimi ishte i vështirë.
Sigurisht që ndikon edhe lodhja pas disa ndeshjeve të vështira. Gjithsesi, nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla kur luan një duel Champions League. Për fat të mirë, goli i Chiesas ka vendosur gjithçka në pikëpyetje.
Ishim përgatitur për të sulmuar në thellësi, por e prekëm topin shumë herë dhe i lejuam Portos të mbuloheshin dhe mbroheshin mirë. Ishim shumë të ngadaltë në qarkullimin e topit, problem i madh.
Ata u mbrojtën shumë mirë. Avantazhi i ndihmoi, ndërsa ne na e komplikoi jetën. Më vjen keq, pasi nuk kishim pësuar në ndeshjet e fundit në Champions“, theksoi trajneri i Juventusit. /abcnews.al