Ndoshta nuk e kap dot majën, por gjithsesi është shumë pranë. Vedat Muriqi as nuk e kishte menduar se do të arrinte një nivel të tillë lavdie dhe suksesi në La Ligën e Spanjës, kur u largua si jo fort i pëlqyer nga Lacio e Serisë A.
Sulmuesi i Kosovës realizoi 3 gola në një ndeshje të vetme, në atë Majorka-Atletik Bilbao, duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij, e duke shtuar shpresën dhe mundësinë për mbijetesë në elitë.
I mbiquajturi “Pirati” realizoi një herë nga loja, pastaj pasi humbi penalltinë afër fundit të pjesës së parë për shifrat 2-1, dhe pas pushimit në 69’, këtë herë duke qenë i saktë nga 11 metra.
Ylli “dardan” ka 14 gola këtë sezon në kampionatin spanjoll, i dyti në garën e Këpucës së Artë në vend, 5 rrjeta prapa Kilian Mbapesë së Realit.
Në konkurrimin për Këpucën e Artë të Europës, Muriqi është I pesti me 28 pikë, pas 14 rrjetave, ndërsa Harri Kejn ka 42 pikë, Haland 40 dhe Mbape 38, me përkatësisht 21, 20 e 19 realizime.
“Marka” shkruan se arbitri Guzman Mansija i merr vëmendjen Muriqit, me dy penallti dhe dy kartonë të kuq.
“Muriqi dhe VAR-i lëshohen ndaj Etosë”, – titullon “AS”, – kosovari realizoi një hatrik për të fituar ndaj Atletikut!”
Futbollisti 31-vjeçar mori notë 8.8 për paraqitjen e shkëlqyer, por më I miri në fushë ishte një tjetër.
Pikërisht, portieri i Majorkës, Leo Roman, që mori notën 10 me yll për 7 pritje, nga të cilat pesë në zonën e rreptësisë.
Shqiptari nga Kosova po ashtu pritet të hyjë në historinë e Majorkës.
Tashmë, ai ka 48 gola në La Ligë, duke lënë pas Huan Arangon, e duke qenë vetëm 6 rrjeta prapa rekordmenit të klubit, sulmuesit të shquar kamerunas, Samuel Eto.
Në numrin total të golave, Muriqi ka 49 për Majorkën, i treti në renditjen e të gjitha kohëve në të çdo konkurrim, i lënë pas nga Eto me 70 dhe Prats me 59 rrjeta.


