Pioli: Zemërimin e kthyem në energji pozitive, nesër sakrifica e fundit

schedule16:36 - 22 Maj, 2021

schedule 16:36 - 22 Maj, 2021

Milani është gati për takimin e vështirë ndaj Atalantës. Kuqezinjtë luajnë në Bergamo të dielën, sfidë që nis prej orës 20:45. Një finale për “Djallin”, që ka nevojë për tre pikë për të siguruar zyrtarisht rikthimin në Champions League sezonin e ardhshëm.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka folur për mediat rreth finales së madhe. Përballë do të jetë një kundërshtar tmerrësisht i fortë, por Atalanta ka siguruar objektivin Champions dhe vjen pas humbjes në finalen e Kupës së Italisë në mesjavë.

Kemi gjithë vitin që flasim për ndeshje vendimtare, por kjo e nesërmja ndaj Atalantës është pikërisht e tillë. Jemi përgatitur shumë mirë, jemi të përqendruar në maksimum. Ka qenë një javë e çuditshme. Deri të mërkurën kishte vetëm zhgënjim, por më pas e transformuam në motivim dhe përqendrim.

Sigurisht që tensioni ekziston, por zemërimin e kemi kthyer në energji pozitive. Pse e meritojmë të shkojmë në Champions? E kemi treguar gjatë gjithë sezonit që kemi qenë ndër skuadrat më të mira. Nuk jemi tërhequr kurrë, për asnjë moment s’e kemi humbur besimin. Besojmë te fitorja nesër, i kemi cilësitë për t’u quajtur skuadër e madhe.

Kemi nevojë për një sakrificë të fundit. Atalanta? Presim një ekip që do të luajë në maksimumin e vet. Ky sezon ka qenë i gjatë për të gjithë. Ata kanë një sistem loje të kolauduar, janë një skuadër e fortë. Vitin e kaluar nuk kemi qenë në nivelin e Atalantës.

I jemi afruar shumë, por duhet të shfaqim nesër. Këtë javë kemi kryer shumë biseda, individuale dhe kolektive. Motivimi është maksimal: për klubin, vetën tonë dhe tifozët. I kemi zhgënjyer të dielën, por është momenti të qëndrojmë të bashkuar.

E ardhmja? E ardhmja ime është nesër, është takimi ndaj Atalantës. Këtë duhet ta kemi të gjithë të qartë, për gjithçka tjetër do të bisedojmë ditën e hënë. Rebic? E vështirë, më shumë jo se po për nesër“, deklaroi Pioli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!