Stefano Pioli është trajneri i ri i Milanit. Kuqezinjtë nuk kanë humbur kohë dhe e kanë prezantuar pasuesin e Marco Giampaolos. “Vij këtu me entuziazëm dhe pasion. Jam i bindur që mund të bëjmë një punë të shkëlqyer”, u shpreh fillimisht italiani, i cili më parë ka drejtuar edhe Interin.
Tifozët e kanë kontestuar zgjedhjen e klubit, ndërkohë që Pilo thotë: “Kam respekt për tifozët dhe ata kanë të drejtë të kritikojnë. Për mua është një motivim më shumë. Duhet të punojmë me lojtarët në aspektin psikologjik, por edhe në fushë. Do jenë dhjetë ditë të rëndësishme dhe do të përpiqem të përfitoj nga ky moment”.
I pyetur nëse do të ruajë diçka nga mënyra e lojës së Giampaolos, tekniku i ri i Milanit thotë: “Është e vështirë ta thuash. Giampaolo është një trajner i mirë, por i ndryshëm. Duhet që t’i jap sa më shpejt idetë e mia ekipit. Ka djem me vlera. Marco ka punuar mirë dhe kjo është e rëndësishme. Do doja të aplikoja një futboll që djemtë pëlqejnë ta luajnë. Duhet t’i ndihmoj ata ta bëjnë këtë. Jam optimist dhe do të luftojmë për Milanin. Lojtarët duhet të jenë të bindur për këtë”.
“U përshtatem lojtarëve. Ata duhet të përmirësohen individualisht dhe të rriten si grup. Ekzistojnë të gjithë kushtet për të bërë gjëra të mira. Kemi mbështetjen e drejtuesve. Tifozët kanë kërkesat e tyre dhe me të drejtë. Duhet t’i gëzojmë ata”, thotë Pioli, i cili do synojë kualifikimin në Champions me Milanin.
IDETË E PIOLIT – “Slogani im është të fitojmë. Duhet të punojmë disa gjëra dhe të jemi të vetëdijshëm që jemi Milani. Nuk duhet të kemi ankth, por duhet ta transferojmë çdo gjë në pozitive. Moduli është interesante për mediat, jo për mua. Kemi cilësi që mund t’i shfrytëzojmë. Më e rëndësishme është që të kemi identitet si skuadër. Futbolli modern është i tillë: intensitet dhe kualitet. Flitet shumë për lojën e mirë, por ne duam të jemi agresivë dhe të rikuperojmë sa më shpejt topin. Lojtarët duhet të japin gjithçka, kjo është ajo për të cilën kemi nevojë”.
EMRAT E PËRVEÇËM – “Leao ka shumë potencial dhe duhet të shfrytëzohet. Të gjithë duhet të ndjehen të përfshirë. Suso është lojtar me cilësi të padiskutueshme. Duhet ta bëjmë atë të luajë sa më shumë një kundër një. Mund të bëjë shumë mirë. Piatek është efektiv në zonë. Është një bomber, por ka edhe shumë lojtarë të tjerë që mund të shënojnë. Paqueta është një gjysmësulmues dhe anësor ofensiv me cilësi. Më pëlqen t’i lëviz lojtarët gjatë ndeshjes, mund të luajë gjithashtu mes linjave. Ka shënuar disa gola dhe është i zoti në daljet përpara.
EKSPERIENCA TEK INTERI – “Është e gabuar t’i krahasosh përvojat e ndryshme. Ndryshojnë shumë gjëra. Kurrë nuk shikoj pas shpatullave të mia, shikoj vetëm përpara. Dua të njoh sa më shpejt lojtarët dhe të nis nga puna”, u shpreh Pioli në konferencën e sotme për shtyp. /abcnews.al