Ditën e nesërme do të zhvillohet ndeshja Lazio-Milan (21:45). Kuqezinjtë vijnë nga barazimi zhgënyes 2-2 me SPAL-in dhe përballë do të kenë forcën e dytë të kampionatit italian. Në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, deklaron se Milani i tij ka ndryshuar që nga humbja 2-1 e fazës së parë kundër bardhekaltërve si dhe shpreson se Ibra mund të luajë disa minuta më shumë në këtë sfidë delikate.
”Është pjesë e ADN-së tonë për të krijuar sa më shumë raste në portën kundërshtare dhe statistikat flasin për ne. Kemi mentalitetin e duhur. Duhet të kontrollojmë lojën. Në Ferrara krijuam shumë shanse, por duhet të shënonim të paktën dhe një gol. Tashmë ndeshje më të vështira na presin dhe duhet të tregohemi më cinikë përpara portës kundërshtare”, deklaron trajneri italian, i cili ndalet edhe te rivalët e radhës.
”Lazio? Duhet të bëjmë më të mirën tonë. Ata janë thuajse të përkryer dhe dy përmbysjet e fundit e vërtetuan këtë gjë. Edhe pse ata nuk kanë Immobilen dhe Caicedon, ne nuk kemi pse të ndryshojmë vendosjen tonë. Ibra? Luajti për 30 minuta kundër SPAL-it dhe ditën e djeshme u stërvit shumë mirë. Gjendja e tij fizike do të vijë në rritje dhe shpresoj që nesër të luajë më shumë”, përfundon Pioli. /abcnews.al