Stefano Pioli është i lumtur për fitoren e sotme. Milani ia doli të thyejë 2-0 në “San Siro” Beneventon, duke siguruar tre pikë të rëndësishme për objektivin Champions League. Trajneri i “Djallit” analizoi suksesin, gjendjen e ekipit të tij, teksa u ndal edhe te dyshja Ibrahimovic-Calhanoglu.
“Asgjë nuk arrihet pa shpirt skuadre. Situatat e fundit na kanë penalizuar, por sonte pashë gjëra të mira dhe pozitive. Nuk ishte e thjeshtë përgatitja e kësaj ndeshje në aspektin mental. Do të kishim marrë një goditje emocionale nëse nuk do të fitonim.
Luajtëm me personalitet, nuk i dhamë pika referimi kundërshtarëve. Ibrahimovic? Zlatan është një kampion, ai është i aftë të rrisë vlerën e shokëve dhe skuadrës. Sigurisht jemi penalizuar prej faktit që na ka munguar kaq gjatë.
Sonte ishte një ndeshje e vështirë, pasi vinim nga dy humbje radhazi. Është një avantazh të mos i japësh pika referimi ekipit që ke përballë. Zlatan ka një inteligjencë futbollistike të avancuar dhe ai është një zgjidhje që na jep përparësi.
Calhanoglu? Më pëlqen shumë ky futbollist, por nuk e ka arritur akoma potencialin e tij maksimal. Hakan ka cilësi dhe është altruist. Ka nevojë për pak më shumë saktësi në asiste, por po e fiton vetëdijen që i ka munguar në të kaluarën“, përfundoi trajneri i Milanit. /abcnews.al