Milani përballet me Romën nesër dhe trajneri Stefano Pioli ka dalë sot para mediave në konferencë shtypi. Ai ka folur për çështje të ndryshime dhe fillimisht vlerësoi kundërshtarin e radhës. “E rëndësishme është që e kemi nisur mirë dhe duam të vazhdojmë kështu.
Përballemi me një kundërshtar të fortë dhe ngjajnë me Milanin, për nga mënyrë e ndërtimit. Në përbërje kanë lojtarë të fortë, janë ekip me forcë të madhe fizike dhe kanë të gjitha cilësitë për të qenë një ekip ambicioz. Do të jetë një ndeshje e hapur”, tha Pioli.
Pavarësisht rezultatit me Romën, Milani do të ruajë edhe një javë vendin e parë. “Është vetëm fillimi i kampionatit. Kemi një ndeshje të rëndësishme përpara dhe duhet ta përballojmë në një nivel të lartë teknik.
Duhet të japim maksimumin, të mendojmë për rrugën tonë dhe ta konsiderojmë secilën ndeshje si më të rëndësishmen”, shton tekniku i kuqezinjve, i cili më pas flet edhe për emra të veçantë në skuadër, si dhe për karikimin që lojtarët marrin prej rotacionit.
“Ibra dhe jo Rebic? Janë lojtarë të ndryshëm, por duhet të përpiqemi të përfitojmë nga cilësitë tona dhe të përpiqemi të kufizojmë Dzekon. Rebic nuk do të jetë nesër. Ai është më mirë, sikurse edhe Calhanoglu. Rotacioni, sa e mban në tonus ekipin? Ishte e rëndësishme të rritej konkurrenca brenda ekipit, duke marrë lojtarë të rinj e të fortë.
Kemi afruar lojtarë që e kanë rritur nivelin. Duhet të mësojmë të kuptojmë më mirë disa momente të lojës, kur duhet të rritim ritmin ose kur duhet të pasojmë. Është një rritje që vjen me kalimin e kohës. Rritja duhet të jetë e vazhdueshme dhe konstante”.
Kur pyetet nëse Milani i tij po piqet, Pioli deklaron: “Më pëlqen t’i përkufizoj lojtarë e mi si të rinj, por të pjekur. Ma tregojnë këtë me sjelljen e tyre. Gjithashtu kemi personalitete të forta, si Romagnoli, Kjaer e Donnarumma. Nuk është karta e identitetit ajo që tregon sa të pjekur jemi, por sjellja,. Jemi të ndërgjegjshëm për rrugën që kemi për të bërë.
Duhet të mbajmë një ekuilibër mendor dhe kjo është fuqia jonë. Pas kritikave kemi menduar vetëm të punojmë. Tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe nëse marrim komplimente. U kam kërkuar djemve të japin edhe më shumë për t;u bërë ambiciozë. Është diçka e bukur që pritshmëritë janë rritur”.
I ngacmuar për të ardhmen e Donnarumma, nëse i trembet një largimi të tij, Pioli u shpreh: “Isha përballur me të më parë si kundërshtar dhe mund të vlerësoja vetëm cilësitë teknike, por kam gjetur një djalë shumë të pjekur. Rritja e tij ka qenë e vazhdueshme, në gjithçka.
Gigio është një portier i nivelit të lartë, por ka ende shumë hapësirë për përmirësim. Jam shumë i kënaqur me sjelljen e tij. Nuk shqetësohem për të ardhmen, sepse për sa kohë shoh lojtarë të tillë të vëmendshëm dhe pozitivë, jam i qetë dhe e di që klubi po punon në një drejtim të caktuar”. /abcnews.al