Stefano Pioli arriti fitoren e parë në krye të Milanit. Kuqezinjve shënuan një gol shumë të bukur me anë të Susos dhe mposhtën Spalin në “San Siro”. Spanjollit i mjaftuan 6 minuta për të gjetur golin e fitores dhe Pioli nuk i kursen elozhet për të.
Trajneri i Milanit analizon paraqitjen e ekipit të tij, ndërsa beson se objektivi Champions është i arritshëm. Ndeshja e radhës është përballë Lazios dhe kuqezinjtë nuk kanë alternativa të tjera përveç fitores.
FITORJA – “Djemve u kërkova shpirt skuadre dhe pashë atë të duhurin. Nuk rrezikuam shumë, gjynah që mbajtëm rezultatin 1-0 deri në fund, por këto lloj fitoresh të bëjnë mirë. Ndeshja që mund të ndryshojë sezonin është gjithmonë ajo e radhës. Jam i lumtur për lojtarët, klubin, tifozët, por të mendojmë për ndeshjen e radhës. Luajmë përsëri në shtëpi pas disa ditësh. Treguam gjëra të mira kundër Spalit, por kemi edhe gjëra të tjera ku duhet të punojmë”.
SUSO – “Suso është një lojtar me kualitet, por mund të japë më shumë sesa kaq. Jam i lumtur që stërvis një lojtar me karakteristika të tilla, por le të fillojmë të mendojmë për të mirën e skuadrës. Të gjithë lojtarët e dëshironin këtë fitore, ishim të përqendruar gjatë 95 minutave dhe u mbrojtëm mirë. U përmirësuam në disa aspekte, tani duhet të përmirësohemi në aspekte të tjera”.
CHAMPIONS – “E ndjej që skuadra dëshiron dhe do të vijë në rritje. Nëse krijon bindje, gjithçka arrihet. Djemve nuk u mungon kualiteti. Na presin ndeshje të vështira, le t’i marrim një nga një dhe të përgatitemi për beteja. Fituam duele, duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë. Nuk fitohet ndeshja vetëm me kualitet. Të rikuperojmë energjitë dhe të përgatitemi mirë për ndeshjen me Lazion”. /abcnews.al