Finale e parakohshme u cilësua pas shortit dhe e tillë rezultoi në fushë.
Reali i Madrid dhe Manchester City prodhuan një ndeshje spektakolare në mitikun “Bernabeu”. 3-3 çerekfinalja e parë e Championsit, me dy skuadrat që do të sfidohen sërish mes tyre në Angli (17 prill), aty ku do të vendoset ekipi që kalon mes katër më të mirave të turneut prestigjioz.
Milani e nisi sezonin në Champions dhe po e mbyll në Europa League. Çerekfinalja ka sjellë një derbi italian përballë Romës, dueli i parë të enjten, në “San Siro”.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj verdhekuqve të De Rossit, Stefano Pioli u shpreh se skuadra e tij nuk është shumë larg nivelit të Realit apo Citizens.
“Ne gjithmonë rrezikojmë për të sulmuar kur luajmë, por është e qartë që nuk do e kemi gjithmonë topin në zotërim. Nëse zgjedh të jesh një skuadër sulmuese, atëherë do të lejosh ndonjë hapësirë pas. Unë mendoj dhe besoj se do të jetë një ndeshje spektakolare ndaj Romës. Në aspektin e mentalitetit dhe cilësive të lojtarëve. Ne mbërritëm deri në gjysmëfinale të Championsit edicionin e kaluar. Do të thotë që ishim aty, pra nuk mendoj se jemi shumë larg Realit apo Cityt. Europa League është nën nivelin e Championsit, por edhe këtu ka skuadra të mëdha.
Askush nuk do të befasohej nëse ne, Liverpooli dhe Bayer Leverkuseni do të ishim duke garuar në Champions.
Milani im është në gjendje të luaj futboll modern, me ritëm, intensitet dhe veprime individuale të nivelit të lartë”, u shpreh tekniku i kuqezinjve./h.ll/abcnews.al