Milani humbi një shans të artë për t’iu afruar vendit të katërt. Roma humbi, Atalanta barazoi në shtëpi, por edhe kuqezinjtë u frenuan nga Verona. Dueli i zhvilluar në “San Siro” përfundoi 1-1 dhe zona Champions është shtatë pikë larg.
Stefano Pioli analizoi për Sky Sport se çfarë nuk shkoi në përballjen e sotme, teksa u ndal edhe te mungesa e Zlatan Ibrahimovic. Në fundjavë është derbi kundër Interit dhe trajneri tregon ditën e rikthimit të liderit të ekipit.
“Kishim përballë një skuadër që na sulmoi dhe e prisnim diçka të tillë. Pësuam gol në rastin e tyre të parë të rrezikshëm, por ndeshja ndryshoi më pas. Barazuam dhe humbëm një rast shumë të pastër për të kaluar në avantazh.
Pas kartonit të kuq të Veronës e humbëm kthjelltësinë, por nuk mund t’i fajësoj lojtarët e mi. Dëshira për të fituar ndeshjen ndikoi në humbjen e kësaj cilësie. Mungesa e Ibrës? Ai është një vlerë e shtuar, por ia dolëm të fitonim edhe pa të në Kupën e Italisë. Shpresoj ta kem të gatshëm që nga dita e martë“, përfundon Stefano Pioli. /abcnews.al

