Milani do të rikthehet sërish në fushë nesër në mbrëmje. Kuqezinjtë presin Lazion në “San Siro” dhe objektivi i vetëm është fitorja. Djemtë e Piolit duan t’i japin vazhdimësi rezultateve pozitive, edhe pse nuk do ta kenë aspak të thjeshtë kundër ekipit bardhekaltër.
Stefano Pioli e ka të qartë vështirësinë e kësaj përballjeje, por ka besim tek ekipi i tij. Disa fitore dhe besimi i palëkundur përmirësojnë renditjen, psikologjinë e lojtarëve dhe objektivi Champions bëhet më i realizueshëm.
KUNDËRSHTARI – “Lazio është një skuadër shumë e fortë. Kanë një miks midis cilësisë dhe forcës fizike. Mund të përballen pa frikë me çdo ekip. Ne jemi më pak të fortë fizikisht, por duhet t’u përgjigjemi me të njëjtën mënyrë. Duhet të vendosim kualitetin në punë për të fituar këtë ndeshje. Fitorja ndaj një ekipi të fortë si Lazio na rrit bindjen dhe vetëdijen”.
CHAMPIONS – “Duhet të besojmë te kualifikimi. Vetëm me besim mund t’ia dalim. Duhet të impenjohemi ditë e natë për këtë objektiv”.
PAQUETA – “Përpiqem t’i vendos lojtarët në kushtet më të mira për të shprehur gjithë potencialin e tyre, gjithmonë në funksion të skuadrës. U përshtatem shumë karakteristikave të lojtarëve, tentoj gjithmonë t’i aktivizoj aty ku japin më të mirën”.
SUSO – “Suso dha sinjalin e një skuadre që dëshiron të përmirësohet. Nuk ka rëndësi se kush luan, rëndësi ka të sakrifikosh për shokët e skuadrës”. /abcnews.al