Milani u rikthye te fitorja pas tre javësh. Kuqezinjtë siguruan një trepikësh shpresë në fushën e Parmës, teksa Theo Hernandez realizoi golin e fitores dy minuta përpara fundit të ndeshjes. Stefano Pioli analizon ndeshjen, nuk e fsheh lumturinë e tij dhe vlerëson rritjen e ekipit në deklaratën e dhënë për Sky Sport.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe e kishim të qartë këtë fakt. U treguam të kthjellët dhe kishte ardhur momenti për t’u rikthyer te fitorja. Nuk mund të mos jem i lumtur. Ekipi realizoi rreth 90% të pasimeve të sakta dhe pashë te djemtë cilësinë që kam kërkuar.
Renditja? Le ta lëmë në dhomat e zhveshjes, ka ende gjëra për t’u përmirësuar. Piatek po vuan mungesën e golit dhe nuk është i lumtur me të drejtë. Më pëlqen fakti që lojtarët janë gati të ndihmojnë njëri-tjetrin“, përfundon Stefano Pioli. /abcnews.al