Milani dëshiron të lërë pas krahëve humbjen 3-0 ndaj Lazios dhe nesër pret Beneventon në “San Siro”. Fitorja është detyrim, pasi objektivi Champions League është më në rrezik se kurrë. Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli foli rreth ndeshje dhe gjendjes së skuadrës së tij.
“Të gjithë e kemi të qartë se e kemi kualitetin për të luajtur në Champions League. Nuk mendojmë për duelin direkt me Juventusin, jemi të përqendruar te Benevento. Po zhvillojmë një fazë të dytë më pak të mirë se e parë, kështu që është e drejtë të ketë debat dhe diskutime.
Sigurisht që është e nevojshme të jemi më kompakt, më të vendosur. Po pësojmë shumë gola dhe po shënojmë pak. Duhet të jemi më të përqendruar dhe më të këqij përpara portës kundërshtare. Ky është objektivi ynë, sidomos në ndeshjen me Beneventon.
Tre karakteristika janë vendimtare për të qenë një skuadër: cilësia e lojës, shpirti i grupit dhe zemra. Kur i kemi realizuar të gjithë këto, jemi përballur si të barabartë me çdo kundërshtar. Duhet të rrisim cilësinë e lojës, të bashkëpunojmë dhe të kemi shpirt sakrifice.
Qëndrimi i skuadrës time ka qenë gjithmonë i duhuri, djemtë janë të etur për t’u përmirësuar. Kemi një grup me lojtarë të rinj, por duhet të kalojmë vështirësitë dhe të rikthehemi te fitoret. Kam parë përqendrim të madh në stërvitje, tani është momenti ta tregojmë në fushë.
Drejtuesit? Mbështetja e tyre nuk është zbehur kurrë. Ata janë njerëz që e njohin futbollin, e kanë të qartë se sezoni është i gjatë dhe i mbushur me momente delikate. Mbështetja e tyre na ndihmon të ecim përpara.
Ibrahimovic? Prania e tij është thelbësore sa i përket pjesës teknike dhe karakteriale. Ai është gati si gjithmonë, ndërsa ne jemi të lumtur që e kemi në dispozicion“, përfundoi trajneri i Milanit. /abcnews.al