Nën hijen e pemëve, pranë lulishtes në hyrje të sheshit Skënderbej qëndron çdo ditë piktori Pjetër Lala.
Nuk ka ditë me diell që mungon. Në rrugë ka improvizuar studion e tij, me mjetet e punës, lapsat, ngjyrat dhe fletët e bardha. Mbi to memorizon portretet e qytetarëve që ndalojnë.
“ Këtu realizoj 4-5 portrete në ditë, në raste festash kam arritur deri ne 25 portrete pa lëvizur nga vendi live”, tha ai.
Talentin e zbuloi kur ishte ende fëmijë.
“Në klasë të tetë kam bërë portrete. Me shume se 40 vjet. Një mësues u angazhua, me jepte mësim si në lice ndryshe nga të tjerët”, u shpreh ai.
Në katër dekada ka realizuar rreth 20 mijë portrete. Por, në memorie ka ende të freskët punën e tij të parë, nga e cila u frymëzua për të nisur rrugëtimin si piktor.
“Ia kam bere një ish mikut tim atëherë, tani nuk jeton më. Ishte portret interesant, një djalë king me sytë e shkruar”, tregoi piktori, Pjetër Lala.
64-vjecari nga Mirdita nuk ka marrë mësime në Liceun Artistik apo Akademinë e Arteve. Ai është piktor autodiktakt.
“Me kujtohet një profesor i liceut, i thashe, si t’ja bëj te vazhdoj akademinë. Për çfarë të duhet – më pyeti. Për pikturë, – i thashë. Por piktor je, – më tha”.
Pasi punoi shumë kohë në studio, 20 vjet më parë vendosi të dalë në rrugë. Artin e rrugës e nisi në Ulqin.
“Shkova atje, ishte një fëmijë nga Tuzi, fliste shqip pak me vështirësi, më pyeti nëse dija të bëja fytyra njerëzish. Shko në bregdet më tha se aty ka punë dhe aty fillova”, u shpreh ai.
Talentin që e ktheu në profesion i ka siguruar të ardhura. Puna në rrugë e përbush shpirtërisht dhe e frymëzon më shumë, prandaj edhe nuk preferon të qëndrojë i mbyllur në muret e studios.
“Jam mësuar në rrugë, të kem sa më shumë njerëz.”
Portretet preferon t’i realizojë më shumë kur personin e ka përballë.
“E bëj për 30 minuta, 40 minuta nëse bëj muhabet me të si taksistët. Kurse për shpejt edhe 20 minuta, kur kam njerëz, në radhë. Ndërsa kur i bëj me fotografi, punoj avash-avash”
Përveç portreteve, 64 vjeçari bën mjeshtëri edhe me gurin.
“Kam realizuar një monument, që i kushtohet tre burrave që janë marrë me pajtime gjaqesh. Kanë qenë si hafiz të kanunit”.
Prej disa vitesh në familje nuk është i vetmi piktor.
“djali ka përfunduar liceun, ai ka studion e tij.”
Piktori i njohur i rrugës në Tiranë thotë se do ta bëjë këtë punë për sa kohë që fiziku ia lejon.
“ Derisa të jetë e mundur dhe të më lerë pleqnia”, tha mes të tjera piktori.