Piktori i figurave patriotike/ Bledar Çakalli pikturon Çerçiz Topullin dhe Adem Jasharin: Punimet janë vlerësuar nga qytetarët

schedule20:07 - 25 Nëntor, 2023

schedule 20:07 - 25 Nëntor, 2023

Në prag të festave të nëntorit, Bledar Çakalli është ndalur në Gjirokastër për t’i dhuruar qytetit disa punime murale me figurat që kanë shenjuar historinë e Shqipërisë.

E ka nisur duke pikturuar portretet e Çerçiz Topullit, Ismail Qemalit dhe heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në hyrje të qytetit do të realizojë gjithsej 7 piktura, por thotë se nëse do të ketë mbështetje financiare do të realizojë edhe më tepër.

“Projekti i radhës ka qenë në Gjirokastër. E kemi nisur me Skënderbeun, Adem Jasharin, Çerçiz Topullin. Do vijojmë me figura të tjera historike. Janë 7 figura kombëtare që do të bëhen, nëse do arrijmë që me ndihmën e njerëzve këtu nga Gjirokastra, të arrijmë 14 portrete.”

Tregon se pikturat murale janë pritur mirë nga qytetarët madje ata që jetojnë jashtë shtetit thonë se ia kanë shprehur vlerësimin përmes rrjeteve sociale.

“Unë nuk e kam pritur të kishte një reagim kaq pozitiv, sidomos nga mesazhet, banorët e zonës, nga Gjirokastra, banorë që jetojnë jashtë Shqipërisë”.

Vlerësim e mbështetje ka pasur vetëm nga qytetarët, por jo nga pushteti lokal. Të pakta kanë qënë ato institucione që i kanë ofruar bashkëpunim.

Megjithatë Bledari nuk tërhiqet. Thotë se këtë punë që e ka nisur 7 vite më parë e bën plot dëshirë dhe synon që përmes saj të përcjellë frymën e patriotizmit tek qytetarët, veçanërisht tek te rinjtë.

“Unë këtë punë nuk e kam nisur as për interes dhe as për reagim. Por si një reagim, kurrë nuk bëj pazare me çështje kombëtare. Është diçka që vjen nga zemra.”

Puna e tij nuk ka mbetur vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj.

“Është Mitrovica, Tuzi i Malit të Zi, Gostivari, Prishtina, është një frymë tjetër atje. Këtu në Shqipëri nuk e ndjejmë shumë, e kemi pasur atë liri. Jashtë trojeve shqiptare është komplet tjetër situata”.

Mënyra e krijimtarisë i takon stilit grafit, ndërsa jetëgjatësia e këtyre punimeve llogaritet deri në 15 vite./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!