Pikat kryesore të propozimit për armëpushim në Gazë

schedule11:10 - 14 Janar, 2025

schedule 11:10 - 14 Janar, 2025

Ndërmjetësuesit nga Katari kanë dërguar projekt-propozimin për një marrëveshje për ndalimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë, si hap i parë drejt përfundimit të luftës gjatë 15 muajve.

Luftimet po zhvillohen në mes të Izraelit dhe Hamasit-grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Një javë para se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, të marrë detyrën nga presidenti Joe Biden, zyrtarët thanë se ishte arritur një përparim në bisedimet në Doha dhe marrëveshja mund të jetë afër.

Ja pikat kryesore nga projekti, sipas një zyrtari izraelit dhe një zyrtari palestinez, derisa Hamasi nuk ka dhënë detaje.

Kthimi i pengjeve

Në fazën e parë, do të lirohen 33 pengje izraelite. Në mesin e tyre janë fëmijë, gra, edhe ato ushtarake, burra mbi 50 vjeç, të plagosur dhe të sëmurë. Izraeli beson se shumica janë gjallë, por nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga Hamasi.

Sipas marrëveshjes, faza e parë do të zgjasë 60 ditë. Nëse vazhdon siç është planifikuar, në ditën e 16-të nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, do të fillojnë negociatat për një fazë të dytë gjatë së cilës do të lirohen pengjet e mbetura gjallë – ushtarët burra dhe djemtë civilë më të rinj – dhe trupat e pengjeve të vdekur do të kthehen.

Tutje, në këmbim të pengjeve, Izraeli do të lirojë nga burgjet e tij më shumë se 1.000 të burgosur dhe të ndaluar palestinezë, përfshirë të dënuar me dënime të gjata për sulme vdekjeprurëse.

Luftëtarët e Hamasit që morën pjesë në sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 nuk do të lirohen.

Tërheqja e ushtrisë

Tërheqja do të jetë me faza, me forcat izraelite që do të qëndrojnë në kufi për të mbrojtur qytetet dhe fshatrat izraelite.

Do të ketë marrëveshje sigurie në korridorin Filadelfi që kufizon Egjiptin, në anën jugore të Gazës, me Izraelin që do të tërhiqet nga disa pjesë të tij pas ditëve të para të marrëveshjes.

Banorët e paarmatosur në veri të Gazës do të lejohen të kthehen, me një mekanizëm për të siguruar që aty të mos lëvizin armë. Forcat izraelite do të tërhiqen nga korridori Netzarim në pjesën qendrore të Gazës.

Kalimi në Rafah mes Egjiptit dhe Gazës do të fillojë të funksionojë gradualisht, duke lejuar kalimin e atyre që janë të sëmurë dhe rasteve humanitare për trajtim jashtë enklavës.

Shtim i ndihmave

Do të ketë një rritje të konsiderueshme të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, ku organet ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, thonë se popullsia po përballet me një krizë të thellë humanitare.

Izraeli lejon hyrjen e ndihmave në enklavë, por ka pasur mosmarrëveshje për sasinë e ndihmës që lejohet dhe sasinë që arrin te njerëzit në nevojë, derisa plaçkitjet nga bandat kriminale po bëhet një problem në rritje.

Udhëheqësia e Gazës në të ardhmen

Kush do ta drejtojë Gazën pas luftës është një nga pikat e panjohura të negociatave. Duket se rundi aktual i bisedimeve e ka lënë këtë çështje jashtë propozimit për shkak të kompleksitetit të saj dhe mundësisë që ajo mund të pengonte një marrëveshje të kufizuar.

Izraeli ka thënë se nuk do ta mbyllë luftën duke e lënë Hamasin në pushtet. Ai gjithashtu ka refuzuar administratën e Gazës nga Autoriteti Palestinez, organi i mbështetur nga Perëndimi që u krijua sipas akordeve të paqes të Oslos 30 vjet më parë dhe që ka sovranitet të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ai ka thënë, gjithashtu, që nga fillimi i fushatës ushtarake në Gaza se do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi enklavën pasi të përfundojnë luftimet.

Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se Gaza duhet të drejtohet nga palestinezët, por përpjekjet për të gjetur alternativa nga fraksionet kryesore mes shoqërisë civile apo liderëve të klaneve, kanë rezultuar kryesisht të pasuksesshme.

Megjithatë, ka pasur diskutime mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara për një administratë përkohshme që do të drejtonte Gazën deri në një reformim të Autoritetit Palestinez që do të ishte në gjendje të merrte drejtimin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!