Dilemat nëse duhet të injektohet doza e tretë e vaksinës apo jo vazhdojnë në shumë vende. “Pfizer” deklaron se të dhënat nga SHBA dhe Izraeli tregojnë se efikasiteti i vaksinës kundër Covid-19 po bie me kalimin e kohës, por duke shtuar se doza përforcues është e sigurt dhe efektive për të trajtuar virusin dhe variante të reja.
Kompania do të paraqesë detajet të Premten në një takim me konsulentë të jashtëm të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA). Paneli i ekspertëve pritet të bëjë rekomandime nëse më shumë amerikanë duhet të marrin doza e tretë.
“Të dhënat nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara tregojnë se normat e ri-infeksionit po rriten më shpejt te njerëzit që janë vaksinuar më parë” tha përfaqësuesi i “Pfizer”.
Rënia e niveleve të efikasitetit “është kryesisht për shkak të një zvogëlimi të përgjigjes imune ndaj vaksinës me kalimin e kohës” dhe jo aq shumë për mutacionin Delta, thonë shkencëtarët e “Pfizer”.
Të dhënat e para nga një kompani shëndetësore izraelite tregojnë se doza e tretë është shumë efektive në zonat ku mutacioni Delta është mbizotërues, sipas dokumentit të “Pfizer”. Doza e tretë te njerëzit mbi moshën 60 vjeç u shoqërua me një efikasitet prej 86% kundër një diagnoze pozitive të Covid.
Për sa i përket përgjigjes imune, një muaj pas dozës së tretë, nivelet e antitrupave mbrojtës ishin më shumë se tre herë më të larta se një muaj pas dozës së dytë.
Për më tepër, asnjë efekt anësor i ri dhe i papritur nuk u raportua në të dhënat e sigurisë në lidhje me dozat përforcuese në këtë studim klinik, sipas raportit të “Pfizer”./ Abcnews.al