Gjykata ka urdhëruar pezullimin e garës për zgjedhjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit deri në shqyrtimin e padive për manipulim në përzgjedhjen e delegatëve. Gjithashtu janë shpallur nul të gjitha vendimet që ka marrë federata. Vendimi i gjykatës shkon në favor të kryebashkiakut Veliaj, i cili denoncoi zgjedhjet në shoqatën e futbollit “Tirana”.
Gjykata e Tiranës ka pezulluar garën që do të mbahej në 2 mars për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Vendimi është dhënë mesditën e së enjtes, pas kërkesës së klubit të Luftëtarit që pretendon se ka pasur manipulime në zgjedhjet rajonale.
Pas këtij vendimi, Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund të bëjë asnjë proces zgjedhor pa u shqyrtuar aneksat në gjykatë. Armand Duka, Ilir Shulku dhe Koço Kokëdhima janë të pezulluar deri sa të jepet vendimi. Po kështu është pezulluar edhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF dhe Komisioni i Verifikimeve në FSHF për zgjedhjen e presidentit të FSHF-s dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.
Më herët Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës, në padinë që ky institucion, në cilësinë e aksionarit në Klubin e Futbollit Tirana, ka ngritur kundër kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Veliaj paditi për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Vendimi i zbardhur i Gjykatës:
Vendosi: Pranimin e kërkesës së palës kërkuese
Marrje e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:
1-Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit Nr.1, datë 10.01.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
2. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.02.2022 të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022 deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
3. Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së në ushtrimin kompetencave të tij statusore për organizimin , mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022 deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të Arsyetuar.
U shpall në Tiranë më datë 17.02.2022
Gjyqtar Fida Osmani