Ylli i Philadelphia, Paul George, është pezulluar me 25 ndeshje për shkelje të programit të drogës të NBA-së. Liga amerikane e basketbollit njoftoi ndëshkimin e rëndë, por nuk zbuloi substancën e gjetur në testet e lojtarit.
Kjo është shkelja e parë e George, sipas marrëveshjes midis NBA-së dhe Shoqatës së Lojtarëve. Pezullimi do t’i kushtojë atij afërsisht 11.7 milionë dollarë nga paga e tij. George pritet të kthehet më 25 mars, kur Philadelphia përballet me Çikagon.
Vetë, veterani i NBA ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për medikamente mjekësore.
“Në vitet e fundit, kam folur për rëndësinë e shëndetit mendor dhe, ndërsa kërkoja trajtim për një problem personal, bëra gabimin duke marrë ilaçe të papërshtatshme.
Marr përgjegjësi të plotë për veprimet e mia dhe kërkoj falje skuadrës, shokëve të mi të ekipit dhe tifozëve të Philadelphia për vendimin tim të gabuar gjatë këtij procesi”, ka thënë Pol George.
Pezullimi është një goditje e rëndë për yllin e Philadelphia, por edhe për skuadrën e tij që renditet në vendin e gjashtë në Konferencën Lindore.
“Sixers” humbasin në këtë moment deçiziv të sezonit një prej lojtarëve më të mirë, pasi George ka një mesatare prej 16 pikësh në 27 ndeshje këtë sezon, duke u renditur në vendin e tretë të shënuesëve për ekipin e tij.


