Futbolli po përjeton një krizë prej pandemisë dhe një problem për t’u zgjidhur është çështja e pagave të futbollistëve dhe në Itali plani është që t’u mbahen dy paga, nëse kampionati do të vazhdojë sërish. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë futbollistët nuk do të paguhen për periudhën mars-prill-maj-qershor.
Kjo ide e klubeve nuk është pranuar nga Shoqata e Futbollistëve në Itali (AIC) dhe presidenti Damiano Tommasi madje e ka quajtur çmenduri diçka të tillë, pasi deri më tani kishte një dëshirë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje për ta kaluar këtë moment të vështirë.
“Nëse klubet e Serie do të takohen në një mbledhje për të thënë se nuk do të paguajnë pagat, kur në realitet po kërkojnë marrëveshje të përbashkët me lojtarët, atëherë kjo gjë është shqetësuese. Nuk e kuptoj logjikën e biznesit në këtë lloj sjelljeje, kur lojtarët po diskutojnë me klubet për të dalë nga kjo krizë së bashku. Më duket çmenduri.
Të mendosh që një rezolutë nga një asamble do përdoret për të vendosur që të mos paguajnë lojtarët, na lë pa fjalë. Janë të njëjtët presidentë, që do të donin pezullimin e pagave të lojtarëve, që i dërguan ekipet e tyre të luanin deri më 9 mars, i bënë ata të stërviten në mes të marsit dhe akoma po kontrollojnë stërvitjet e lojtarëve përmes trajnerëve”, thuhet mes të tjerash në qëndrimin e AIC. /abcnews.al