Petkoviç: Prishtina të mos spekulojë për ngjarjet në veri

schedule18:21 - 15 Prill, 2022

schedule 18:21 - 15 Prill, 2022

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka reaguar pasi institucionet e Kosovës drejtuan gishtin kah Serbia për sulmet e njëpasnjëshme kundër Policisë së Kosovës në këto tri ditë në veri të vendit.

Në tentativën për ta paraqitur vendin e tij si paqedashës, Petkoviç u bëri thirrje “të gjithë aktorëve në Prishtinë që të përmbahen nga spekulimet e papërgjegjshme dhe jo të besueshme për ngjarjet në Zubin Potok”.

Petkoviç shtoi se deklaratat e tilla të krerëve kosovarë “mund të rrezikojnë stabilitetin në terren”.

“Sulmet e orkestruara ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar para përfundimit të hetimeve vënë në pikëpyetje motivin e këtyre ngjarjeve. Beogradi zyrtar është i vendosur në mënyrë të palëkundur për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë sepse serbët nga Kosova e dinë më së miri vlerën e paqes”, ka shkruar ai në Twitter.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka cilësuar si “terroriste” sulmet ndaj Policisë së Kosovës. Në një konferencë të përbashkët për media me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ata bënë të ditur se në njërin prej sulmeve dyshohet që të shtënat erdhën nga territori i Serbisë. Presidenca dhe kryeministri Kurti fajësuan Serbinë dhe strukturat kriminale për këto sulme, derisa iu bë thirrje Serbisë që të distancohet. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!