Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i ka dalë në mbrojtje nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiç pas arratisjes së tij mbrëmë në pikën kufitare në Bërnjak. Radojçiç është i sanksionuar edhe nga Departamenti amerikan i Thesarit si pjesë e grupit kriminal që operon në veri të Kosovë.
Petkoviç ka shkruar se autoritetet e Kosovës kanë tentuar ta arrestojnë Radojçiçin sipas tij pa ndonjë bazë legale.
“Tentimi i autoriteteve të Prishtinës për të arrestuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiç pa ndonjë evidencë valide ose bazë legale është një tjetër goditje ndaj serbëve në Kosovë dhe një përpjekje për të dobësuar Serbisë fuqinë në Kosovë para zgjedhjeve të 3 prillit”, ka shkruar ai.
Vartësi i presidentit Vuçiç, ka shkruar tutje se institucionet e Prishtinës po provojnë të intimidojnë serbët në Kosovë.
“Praktika e Prishtinës për të provuar të intimidojnë dhe të vendosin presion mbi serbët në Kosovë me aktakuza sekrete po vazhdon por s’do të kenë sukses”, ka shkruar Petkoviç.
Sot gjatë ditës në mbrojtje Radojçiçit i ka dalë edhe partia e tij Lista Serbe.
Partia kryesore parlamentare e serbëve të Kosovës, ka deklaruar se sipas informacioneve që kanë, kërkesa për arrestim të Radojçiçit s’përmbanë evidencë për ndonjë veprim ilegal të tij.
“Ne theksojmë se bazuar në informatat që kemi, kërkesa për arrest e Radojçiq nuk përmbanë evidencë për ndonjë veprim ilegal të tij, por vetëm është folur publikisht për rastit që është inicuar në lidhje me marrëdhënien dhe lëshimin e lejes ndërtimore në komunën e Shtërpcës dhe Radojçiç s’ka të bëjë asgjë me të. Informojmë publikun që Radojçiq s’ka pasur marrëdhënie biznesore në këtë komunë apo me objekte atje, për më tepër nënkryetari Radojçiç asnjëherë s’ka qenë në komunën e Shtërpcës”, thuhet në reagimin e tyre.
Dje dyshohet se Radojçiç është kthyer mbrapa me veturën e tij dhe është arratisur në Serbi, derisa zyrtarët policorë po kryenin procedurat e verifikimit të tij në pikën kufitare në Bërnjak.