Aftësia njerëzore për t’u kujdesur për të tjerët mund të ketë rrënjë shumë thellë në të kaluarën, sipas hulumtimeve të reja, dhe mund të ketë origjinën nga kafshët parahistorike që kanë jetuar miliona vjet më parë.
“Disa nga mekanizmat që mbështesin aftësinë tonë për të përjetuar frikën ose për të rënë në dashuri, janë qartësisht të lashtë,” shpjegon Hans Hoffmann, një neuroshkencëtar evolucionar në Universitetin e Teksasit.
Zakonisht, shkencëtarët janë të kujdesshëm ndaj atribuimit të emocioneve njerëzore tek kafshët. Megjithatë, pranohet gjerësisht se shumë kafshë kanë humor, duke përfshirë edhe peshqit.
Në hulumtimin e ri të publikuar në Science, zbulohet se peshqit mund të dallojnë frikën tek peshqit e tjerë, duke shkaktuar frikë edhe tek ata, një veti e rregulluar nga oksitocina, i njëjti hormon përgjegjës, ndër të tjera, për ndjeshmërinë, dashurinë, kujdesin për njerëzit.
Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit fshinë gjenet e lidhura me prodhimin dhe thithjen e oksitocinës nga peshku zebra, një peshk i vogël tropikal që përdoret shpesh në kërkimet shkencore, i cili më pas u bë antisocial, duke mos arritur të zbulojë frikën ose të ndryshojë sjelljen e tyre në situata stresuese.
Kur këta peshq të modifikuar morën injeksione të oksitocinës, aftësia e tyre për të ndjerë dhe pasqyruar ndjenjat e peshqve të tjerë u rivendos.
“Ata i përgjigjen frikës nga peshqit e tjerë. Në këtë kuptim, ata sillen njësoj si ne”, thotë Ibukun Akinrinade, një neuroshkencëtar në Universitetin e Calgary dhe bashkëautor i studimit.
Hulumtimi tregoi gjithashtu se peshqit zebra u kushtojnë më shumë vëmendje peshqve që kanë përjetuar më parë stres, një sjellje që studiuesit e krahasuan me “ngushëlluese”.
Studimi i ri demonstron rolet të oksitocinës në transmetimin e emocioneve, vëren Rui Oliveira, një biolog i sjelljes dhe bashkëdrejtues i studimit.
“Ky proces i trurit ndoshta ka qenë në funksion për rreth 450 milionë vjet, kur ne dhe këta peshq të vegjël kishim një paraardhës të përbashkët,” shpjegon Hoffman.
Oksitocina shpesh përmendet tek njerëzit si “hormoni i dashurisë”, por siç thotë Hoffman, është në të vërtetë më shumë si një termostat që përcakton se çfarë është më e rëndësishmja shoqërore në një situatë të caktuar, duke ndezur qarqet nervore që mund t’ju shpëtojnë nga një rrezik.
“Forma më themelore e ndjeshmërisë është frika ngjitëse, kjo është diçka që është për të qëndruar gjallë kur një anëtar i grupit tuaj zbulon një grabitqar ose ndonjë rrezik tjetër,” thotë ambientalisti Carl Safida i Universitetit Stony Brook në Nju Jork. /abcnews.al