Peshkatarët që u kthyen në bujq/ Prespa e vogël e mbuluar nga kallamishtet, banorët: Nuk ka më peshq, as shpendë

schedule20:17 - 13 Prill, 2024

schedule 20:17 - 13 Prill, 2024

Këto porta prej betoni, që dikur u quajtën dhe fitore të mëdha të bujqësise socialiste pasi ujisnin një pjesë të konsiderueshme të fushës së Korçës, tashmë janë mbuluar dhe vetë nga kallamishtet.

Ky gabim inxhinierik i vitit 1970, duke devijuar shtratin e lumit të Devollit për të ujitur tokat, rezultoi fatal për florën dhe faunën në liqenin e Prespës së Vogël.

Pothuajse 90 përqind e sipërfaqes ujore të këtij liqeni në kufirin teritorial të vendit tonë është kënetizuar dhe mbuluar tërësisht nga kallamishtet.

Shumë specie ujore janë zhdukur, shpendët e ujit nuk duken fare, ngjalat janë zhdukur tërësisht, ndërsa dhe llojet e peshkut janë drejt zhdukjes totale.

Në fshatin Zagradec, që dikur banorët merreshin me peshkim, tani nuk të ze syri as rrjeta dhe as varka, vetëm tek – tuk ndonjë banor për hir të kohërave të vjetra, apo thjesht për sport, gjuan peshk me grep.

Gurali Bardhi, mësues në pension, thotë se pas degradimit të Prespës së Vogël, është prishur gjithë ekosistemi.

Fshati ka pasur 160 shtëpi, kurse tani kanë mbetur rreth 40. Sipërfaqja e tokës bujqësore është shumë e vogël dhe e pamjaftueshme që banorët të jetonin në vendlindje.

Dhe një aset si liqeni i Prespës së Vogël, që shtrihej përgjatë një peisazhi të mrekullueshëm, rrezikon të mos ekzistojë fare.

Nderim Merxhani ka qenë peshkatar me profesion, madje ai ka punuar në brigadë peshkimi, kur ekzistonte liqeni.Por me degradimin  eliqenin vit pas viti, përfundoi dhe profesioni tij. Nga peshkatar, Nderimi u kthye në murator dhe më pas bujk.

Edhe pse Prespa e Vogël është pjesë e Parkut Kombëtar natyror, parandalimi i degradimit të mëtejshëm duket një mision  i pamundur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!