Pesë zjarret më vdekjeprurëse në klubet e natës

schedule12:19 - 4 Tetor, 2023

schedule 12:19 - 4 Tetor, 2023

Në Murcia të Spanjës po mbahet zi për 13 personat që humbën jetën kur klubi i natës Teatre u përfshi nga flakët. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimet, se si filloi zjarri vdekjeprurës në një klub që u urdhërua të mbyllej në vitin 2022 për arsye sigurie.

Një urdhër që nuk u zbatua kurrë.


Sado e pabesueshme dhe e paprecedentë të duket, ky incident nuk është i pari. Në të gjithë botën, ka qindra histori të njerëzve që shkojnë në një klub për t’u argëtuar dhe nuk dalin më gjallë nga aty.

Këto janë 5 zjarret më vdekjeprurëse në klubet e natës:

SHBA

Në mbrëmjen e 20 shkurtit 2003, në Rhode Island, SHBA njerëzit kishin filluar të mblidheshin shumë herët në klubin Station. Aty, rreth një orë para mesnate, do të niste koncerti i grupit rock Great White.

Klubi ishte plot. Brenda kishte 462 persona, ndërsa kapaciteti maksimal ishte 404 persona. Në fillim, menaxheri i grupit ndezi dy fishekzjarre në fund të skenës.

Pas disa sekondash, çatia e klubit, e cila ishte me shkumë poliuretani për izolim zëri u përfshi nga flakët. Siç është regjistruar në videon e operatorit që ka filmuar ngjarjen, shumë shpejt vendi u përfshi nga flakët.

Në total, 100 persona humbën jetë atë natë dhe 230 të tjerë u plagosën rëndë.

Boston

Natën e 28 Nëntorit 1942, në klubin legjendar të natës në Boston, Cocoanut Grove u zhvillua një festë. Yjet e filmit dhe muzikantë të famshëm u mblodhën për të festuar.

Gjatë festës, një banakier vuri re se dikush hoqi një llambë nga një palmë artificiale për të puthur të dashurën e tij në errësirë. Ai u ngjit për ta vendosur sërish dhe nga një qark i shkurtër, shpërtheu në flakë.

Për një moment zjarri përpiu gjjithçka. Zjarrfikësit që mbërritën nuk mundën të hynin në klub pasi hyrjet e tij ishin bllokuar nga kufomat. Në spitalin e qytetit transportohej një viktimë çdo 11 sekonda. Mjekët u detyruan të përdornin metoda novatore për kohën, si penicilina dhe plazma e gjakut.

500 njerëz humbën jetën dhe qindra u plagosën.

Brazil

Kiss quhej klubi që u përfshi nga flakët në orët e para të 27 janarit 2013, në Rio Grande do Soul, në Brazil. Atë natë, studentët ishin mbledhur për festë. Një bandë që po luante ndezi një flakë dhe mori flakë menjëherë çatia.

Si pasojë e flakëve, 242 persona humbën jetën dhe 630 u plagosën. Shumica e tyre u shtypën nga turma që po përpiqej të dilte jashtë për t’i shpëtuar flakëve.

Rumani
Më 30 tetor 2015, në Rumani, grupi metalcore Goodbye to Gravity luajti një koncert në klubin Colectiv për të festuar publikimin e albumit të tyre të ri. Hyrja ishte falas dhe pjesëmarrja e publikut ishte masive. Nuk duhet të jetë çudi se si shpërtheu zjarri.

Banda ndezi fishekzjarrë dhe shkuma poliuretani në tavanin dhe muret e klubit për izolimin e zërit shpërtheu menjëherë në flakë.
si pasojë e flakëve, 64 persona humbën jetën, ndërsa 146 të tjerë u plagosën.

Protestat masive çuan në dorëheqjen e kryeministrit të Rumanisë, Victor Ponta.

Rusi

Në mbrëmjen e 5 dhjetorit 2009, klubi i natës Lame Horse në Perm, Rusi festoi ditëlindjen e tij të 8-të. Më shumë se 350 njerëz u mblodhën për t’u argëtuar. Rreth orës 1 të mëngjesit, kur u ndezën fishekzjarrët, mçatia dhe muret prej druri të klubit morën flake.

Nga zjarri humbën jetën 156 persona.

Sipas raporteve fillestare, deri në 160 të tjerë u plagosën nga zjarri, por shumë prej të plagosurve vdiqën më pas në spitale.

/abcnews.al