Ryanair, linja ajrore me kosto të ulët feston përvjetorin e parë në Tiranë. Kompania lançoi 6 destinacione të reja për sezonin e dimrit, duke shtuar në këtë mënyrë trafikun ajror në 22 linja në total.
“Jam shumë i lumtur që ky është 1-vjetori ynë në Tiranë. Po kthehemi këtë vit, 12 muaj më vonë, me 6 linja të reja, nga Tirana për në Bari, Bristol, Budapest, Lamezia, Napoli dhe Vjenë, duke shënuar përvjetorin tonë të parë në Shqipëri me programin tonë më të madh dimëror deri më tani. Pra, më shumë mundësi zgjedhjeje për shqiptarët. Ka qenë një vit shumë i suksesshëm.”, deklaroi drejtori Komercial i Ryanair, Jason McGuinness.
Ryanair është bërë linja ajrore me rritjen më të shpejtë në Shqipëri, duke procesuar 3 milionë pasagjerë. Kompania që operon me tarifa të ulëta ka ndikuar në rritjen e turizmit brenda vendit.
“Çelësi për zhbllokimin e trafikut dhe rritjes së përshpejtuar të turizmit është kostoja më e ulët e aksesit, siç u tregua së fundmi në Suedi ku Ryanair shtoi 2 avionë në bazë për verën e 2025, në përgjigje të vendimit të qeverisë suedeze për të hequr taksat e aviacionit nga 1 janari 2025. Ne mezi presim të punojmë me partnerët tanë shqiptarë për të ofruar rritje të përshpejtuar të trafikut dhe turizmit gjatë viteve të ardhshme”, shtoi ai.
“Ardhja e Ryanair tetorin e kaluar ka sfiduar TIA-n në shtyrjen e aktivitetit operacional edhe më tej. Si rezultat, ne tani mund të ofrojmë operacione të thjeshta dhe më efikase për të gjithë partnerët tanë të linjave ajrore. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë me Ryanair për shumë vite në vijim.”, deklaroi Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional dhe Administrator i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ryanair synon në të ardhmen të rritet me 5 milion pasagjerë në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. Ndërsa për të festuar përvjetorin e saj të parë në Shqipëri kompania ajrore ka lajmëruar një ulje 3-ditore, me çmime që fillojnë nga vetëm 19,99 euro./abcnews.al