Përveç qenve Mbretëresha Elizabeth II kishte më shumë se 100 kuaj, kush do të vendosë për fatin e tyre

schedule22:50 - 9 Shtator, 2022

schedule 22:50 - 9 Shtator, 2022

Mbretëresha Elizabeth II, përveçse adhuruese e qenve, ishte e magjepsur edhe nga kafshët e tjera, në mënyrë të veçantë nga kuajt.

Që në moshë të re ajo ishte e rrethuar nga kuaj dhe persona që i zotëronin.

Mbretëresha filloi të merrte mësime të kalërimit në moshën 3-vjeçare, dhe një vit më vonë babai i saj, Mbreti George VI, i dha asaj një pony Shetland të quajtur Peggy. Kur ishte 12 vjeç, Elizabeth merrte mësime kalërimi dy herë në javë me motrën e saj Margareth.

“Nëse nuk do të isha kjo që jam, do të doja të isha një zonjë që jeton në fshat me shumë kuaj dhe qen”, tha ajo një herë.

Stallat mbretërore, të cilat më parë edukonin kuajt për transport, u shndërruan në mbarështim elitar të racave të pastra. Me kalimin e viteve, kuajt e Mbretëreshës kanë fituar disa nga garat më të mëdha në këtë sport.

Numri i saktë i kuajve që zotëronte mbretëresha është i vështirë për t’u llogaritur, por besohet se janë më shumë se 100 të tillë dhe se ajo ka përfituar prej tyre rreth 7 milionë paund (8 milionë euro) ndër vite nga çmimet që kanë fituar.

Pas vdekjes së babait të saj në vitin 1952, kur u ngjit në fron, Elizabeth trashëgoi kuajt.

Megjithatë, sipas autores mbretërore Claudia Joseph, Princesha Anne dhe vajza e saj Zara Tindall pritet të marrin vendimin për atë që do të ndodhë me kuajt e Mbretëreshës.

“Ka të ngjarë që vajza e Mbretëreshës, Princesha Anne dhe vajza e saj Zara, të cilët janë kalorëse olimpike dhe dashamirëse të njohura të kuajve, do të marrin vendimin se çfarë do të ndodhë  me kafshët e Mbretëreshës”, tha Joseph. /Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!